Paparaci: KFOR ka urdhëruar Lulzim Hetemin që të dalë nga komuna, në të kundërtën do të nxirret me forcë
Gazeta Paparaci ka raportuar se KFOR-i ka urdhëruar kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi të lëshojë objektin e Komunës.
Sipas burimeve të Paparacit, nëse Hetemi refuzon të dal nga objekti i Komunës, do të nxirret nga aty me forcë.
Gjithashtu, sot është raportuar nga T7 se ministri Liburn Aliu nuk është lejuar që ta vizitoi Lulzim Hetemin brenda Komunës së Leposaviqit.
Sipas televizionit, Aliu është kthyer prapa nga komandanti i KFOR-it me arsyetimin për të ruajtur qetësinë.
Përditësim 22:37:
Nacionale i është drejtuar edhe KFOR-it me pyetje mbi këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje.
Për këto raportime ka reaguar kreu i Leposaviqit, Lulzim Hetemi duke i demantuar lajmet që KFOR-i i ka dhënë urdhër që të largohet nga objekti i Komunës.
“Lajmi i publikuar në portalin ‘Paparaci’ se mua më ka urdhëruar KFOR-i të largohem nga Komuna apo të më nxjerrin me forcë është totalisht i pavërtetë. Ftoj publikun e gjerë të Republikës që të informohen vetëm nga lajmet e konfirmuara e zyrtare dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme.” – ka shkruar Hetemi.
