Pamje ekskluzive – Prindërit e Thaçit teksa hyjnë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë - NACIONALE

Pamje ekskluzive – Prindërit e Thaçit teksa hyjnë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish Presidenti Hashim Thaçi pret sot në vizitë mysafirët më special, prej kur është arrestuar e po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Prindërit e Thaçit, tashmë kanë mbërritur në Qendrën e Paraburgimit, ku pritet ta takojnë djalin e tyre pas më shumë se 1 vjet e gjysmë.

Nacionale ka siguruar pamje ekskluzive nga vizita e Haxhi e Hyrë Thaçit.

Dëshirën për ta takuar djalin e tyre, e kishin theksuar edhe gjatë vizitës së Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë, në Burojë të Skenderajt.

Madje, ishte vet kryeministri shqiptar që u premtoi prindërve të Thaçit udhëtimin bashkërisht në Hagë.

Deri tani, prindërit e Thaçit ishin takuar vetëm në formatin “online”, nëpërmjet bisedave në ZOOM.

Kujtojmë që së fundimi Gjykata Speciale me seli në Hagë ka vendosur që ish-presidenti Hashim Thaçi të mbetet në paraburgim.

Në mesin e arsyetimeve pse Thaçi duhet të mbahet në paraburgim, gjyqtari ka përmendur edhe rrezikun e ikjes, ndikimit në procedura, e mundësinë e shkatërrimit të provave.

“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendimin që e ka parë gazeta Nacionale.

Gjykata Speciale nuk ka marrë parasysh as garancinë nga Policia e Kosovës se mund të zbatojë arrestin shtëpiak, e as garancinë nga shteti i tretë në rastin e Thaçit.

Arsyet për refuzimin e Thaçit

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se është konstatuar rreziku që z. Thaçi të arratiset, në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij që rrjedhin nga pozitat që ai i ka mbajtur në të kaluarën, e që mund t’i përdorë për të kërkuar mbështetjen e ish-vartësve të OVL-UÇK-së e që mund t’i ndihmojnë atij të arratiset, duke siguruar qasje në informata e fonde”, thuhej në vendimin e Speciales.

Në mesin e arsyeve tjera që gjyqtari i procedurës paraprake ka përmendur edhe mundësinë e shkatërrimit të provave që sipas tij, do të ndikonte në procedurën penale.

“Gjyqtari rikujton se më parë është konstatuar se Thaçi ka tentuar ta minojë Gjykatën Speciale dhe ka ofruar përfitime për personat e thirrur nga Prokuroria (REDAKTUAR). Ai vazhdon të ketë autoritet dhe ndikim në Kosovë. Ekziston gjithashtu rreziku i frikësimit të dëshmitarëve ose anëtarëve të familjes së tyre. Në lidhje me këtë, gjyqtari konstaton se heqja e masave mbrojtëse e rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë. Së fundmi, kujtohet se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve, ndërhyrje në procedura. Pra rreziku që Thaçi të ndikojë, ekziston ende”, thuhet në vendimin e gjyqtarit.

Në vendimin e gjyqtarit te rasti i Thaçit, përmendet edhe kërcënimi ndaj Dick Martyt, për të cilin kishte bërë disa parashtrime mbrojtja.

“Ky argument nuk ka lidhje me çështjen e lirimit me kusht. Në çdo rast, atentati është ende i paverifikuar dhe mbrojtja nuk arrin të shpjegojë se si një komplot i tillë mund të çojë në përfundimet se nuk ka rrezik që Thaçi të ndërhyjë në procedurat e Gjykatës Speciale, ose të kryejë krime të tjera”, thekson vendimi.

Lajme të ngjashme