Pak ditë para takimit në Bruksel, Gjermania e NATO-ja “të zhgënjyera”: S’ka shumë përparim në dialog
Dy aleate të Kosovës duket se janë të zhgënjyera me procesin e dialogut në Bruksel, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Më saktë, me mungesën e ecjes përpara dhe mosprodhimin e rezultateve të prekshme. Gjermania dhe NATO-ja kanë shprehur shqetësimin për situatën në dialogun e Brukselit, ku Kosova dhe Serbia do të takohen sërish më 24 tetor në nivelin e kryenegociatorëve (pra mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit), ndonëse marrëveshjet kanë ngecur në zbatim.
Në një paraqitje publike, Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, foli për pritshmëritë e shtetit gjerman për dialgun. Më saktë, në mes rreshtave, Rohde tingëlloi pak i zhgënjyer, duke thënë se “për momentin nuk ka shumë përparim në dialog”. Në fjalën e tij, Rohde e theksoi se është e rëndësishme që Kosova e Serbia të lëvizin përpara.
“Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën, dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara” – tha Rohde, pasi u pyet rreth rundin të ri të dialogut, shkruan Nacionale.
Në pikëvështrimin e Rohdes, Miroslav Lajçak, i dërguar i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ekipi i tij “duan përparim”.
“Jam i sigurt se [emisari evropian, Mirosllav] Lajçak dhe ekipi i ri në Komision duan përparim, dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, të dyja dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm [në BE]” – ka thënë Rohde.
Në lidhje mungesën e ecjes përpara në dialog ka folur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Në një konferencë, Rutte tha se procesi i dialogut “nuk është duke ecur siç do të dëshironim”.
“Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut mes Prishtinë dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim...” – tha Rutte, shkruan Nacionale.
Megjithatë, Rutte e bëri të qartë se NATO do të vazhdojë të punojë së bashku për të siguruara mjedis të qetë.
“Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë” - tha tutje Rutte.
Sjellim ndër mend që të hënën në Bruksel do të organizohet takimi i radhës në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, nuk dihet ende nëse do të ketë një takim trepalësh në mes Bislimit e Petkoviqit nën lehtësimin e Lajçakut, të cilit i skadon mandati në muajin janar të vitit 2025.