Padia ndaj Besnik Berishës: Haxhiu autorizon avokatin e dënuar për shkelje të etikës
Avokati Nasuf Hasani, i atuorizuar nga Albulena Haxhiu për të ndërmarrë masa ligjore kundër avokatit Besnik Berisha, ishte gjobitur me 2 mijë euro për shkelje të etikës nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Siç raporton Sinjali, avokati Hasani, i cili është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës në degën e Prishtinës, u gjobit për shkelje të etikës nga ky institucion para dy javësh. Vendimi i Organizatës së Avokatëve të Kosovës (OAK) dënonte avokatin Hasani me 2 mijë euro gjobë për shkeljen e rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë.
Sipas vendimit të OAK-ut, Hasani u akuzua se ka dëmtuar autoritetin dhe imazhin e prestigjit të avokatisë për shkak të fjalëve të tij në një mbledhje që u transmetua në rrjetin social "Facebook", ku ai u drejtua kryetarit të OAK-ut, Behar Ejupi, me fjalët "ke rrejt, ke rrejtën, o ke rrejt, ke rrejt edhe fort bile”.
“Komisioni Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës ( më tutje: OAK) me vendimin V.KD.r.18-9/2022 i dates 12.04.2023, ka shpallur përgiegjës te paraqiturin avokatin Nasuf Hasani me seli të zyrës në Prishtine, për shkelje të rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë nga neni 119 te Statutit te OAK-së, lidhur me nenet 6,8,32 dhe 36 pika c te Kodit te Etikes Profesionale te Avokatisë( me tutje:KEPA) , sepse me daten 16.11.2022 ne mbledhjen e Keshillit Drejtues te OAK-se , e cila po transmetohej drejtëperdrejtë në rrejetin social Facebook, ne profilin zyrtar te OAK-se, i dreitohet Kryetarit të OAK-së me fjalët: ” ke rrejt, ke rrejtën, o ke rrejt, ke rrejt edhe fort bile”,' - thuhet në vendimin e siguruar nga mediumi.
Avokati Hasani njoftoi publikisht përmes "Facebook"-ut se ishte autorizuar nga Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të ndërmarrë masa ligjore kundër avokatit Besnik Berisha. Kjo u bë pas deklaratës së Berishës te "Ditari i Buzhës" se Ministrja kishte urdhëruar arrestimin e tij nga prokurori Maloku.
“Ju njoftoj se jam autorizuar nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu që ta përfaqësojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës sa i përket paraqitjes së padisë për kompensim dëmi kundër Besnik Berisha, e cila bazë kontesti ka shpifjen dhe fyerjen. Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një Konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se Ministrja Haxhiu e paska urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin”, - njoftoi sot avokati Nasuf Hasani në Facebook.