Pa viza edhe në Spanjë, shteti spanjoll e njeh pasaportën e Kosovës
Qytetarët e Kosovës nga sot e tutje mund të udhëtojnë lirshëm edhe në Spanjë, pasi që ky shtet tashmë e ka njohur pasaportën e Kosovës, edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e vendit tonë.
Për njohjen e pasaportës së Kosovës nga ana e Spanjës ka shkruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Bislimi përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se kosovarët mund të udhëtojnë drejt Spanjës pa viza.
Tutje, ai ka shkruar se Spanja i njeh pasaportat tashmë të Kosovës, duke shkruar se “lajmet e mira vazhdojnë”.
“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti.” – shkroi ai.
Për këtë rast ka reaguar edhe Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. Ai ka shkruar një status, në të cilin ka bërë bilancin e javës së parë të vitit 2024.
Ai ka renditur liberalizimin e vizave e pranimi i targave RKS nga ana e Serbisë si të arritura të javës së parë, duke shtuar edhe njohjen e pasaportës nga ana e Spanjës.
“Bilanci i javës së parë të janarit 2024: Udhëtimi me pasaportë të Kosovës në zonën shengen pa viza. Lëvizja e lirë drejt Serbisë me targa RKS pa stikersa. Fillimi i nominimit të energjisë në katër komunat në veri. Kështu pas më shumë se dy dekadave, edhe në katër komunat veriore të vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Spanja e njeh pasaportën e Kosovës.” – shkroi ai.
Njohjen e pasaportës së Kosovës nga ana e Spanjës e ka bërë që të reagoi edhe konsulentin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gani Jakupi, që fitoi një projekt 90-mijë eurosh për lobim.
Jakupi ka shkruar se duket që Spanja "ka ardhur në vete".
"Duket sikur Spanja më në fund i ka thërritur mendjes" – shkroi Gani Jakupi.
Ndërsa, sipas deputetës së Guxo-s, Jeta Statovci gjitha meritat për këtë njohje i ka Gani Jakupi.
“Dikur projekte lobuese milionëshe për ndarjen e Kosovës, sot projekte lobuese për bashkim të Kosovës së pa ndarë me perëndimin. Opozita që dikur paguante për projektin e ndarjes së Kosovës u ngrit në këmbë për pagesën ndaj Gani Jakupit që lobon e ndihmon Republikën në Spanjë. Por, sot pas këtij lajmi a thua çfarë do të thonë. Pra, qenka e mundur të paguhesh nga vendi e t’i shërbesh njëmend atij. Ja një pjesë e rezultatit. Vazhdojmë!” – ka shkruar Statovci.