"Manipulim i fjalëve të Trump”, “S'ishte pjesë e marrëveshjes”: Grenell demanton pretendimet e Osmanit - NACIONALE

"Manipulim i fjalëve të Trump”, “S'ishte pjesë e marrëveshjes”: Grenell demanton pretendimet e Osmanit

1 vit më parë

nga NACIONALE

I Dërguari i ShBA-së për Misionet Speciale, Richard Grenell, i quajti “manipulim të fjalëve” deklaratat e bëra së fundi nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila, duke iu referuar fjalëve të Presidentit Donald Trump, pretendoi se ShBA-ja parandaloi një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një reagim të ashpër në platformën X, Grenell tha se ajo çka pohoi Osmani ishte “manipulim me fjalët e Presidentit Trump.”

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump.” – shkroi Grenell.

Diplomati amerikan kujtoi se nomimi i Trumpit për Çmimin Nobel për Paqen lindi si rrjedhojë e angazhimit të tij thelbësor në paqen dhe normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës e Serbisë gjatë viteve 2019–2020.

“Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 - përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, tha Grenell në “X

Çka tha Osmani

Presidentja Osmani, gjatë një diskutimi me profesorin Edward Joseph në Shtetet e Bashkuara, pretendoi se Trump e kishte fjalën pikërisht për “javët e fundit” kur i referohej parandalimit të një konflikti.

“Kur jemi te informatat të mëtejme. Siç thash, ashtu siç e kuptojmë ne bazuar në brifingjet e sigurisë që unë marrë çdo ditë: Presidenti Donald Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm, nëse mund ta quaj kështu, kohëve të fundit."

Osmani insistoi se bëhej fjalë për zhvillime "bash-bash kohëve të fundit":

*Nuk po flasim për 2023, as 2022, po flasim për zhvillime që janë bash-bash kohëve të fundit. KFOR është aty, është për parandalim. Dhe kanë bërë punë të mrekullueshme në parandalim dhe mirëmbajtjen e sigurisë”, tha Osmani.

Madje, Osmani shtoi se “ai (Trump) ka qenë tejet i qartë në deklarimet e tij se po flet për javët e fundit.”

Deklaratat e Trump

Në disa intervista të fundit, ish-Presidenti Donald Trump theksoi se administrata e tij kishte parandaluar "lufta të mëdha" në mbarë botën, duke përfshirë edhe rastin e Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Trump nuk kishte specifikuar nëse për rastin e Kosovës dhe Serbinë bëhej fjalë për ndalimin e një konflikti në vitin e kaluar ose këtë vit, por pësëriti në disa raste se kishin bërë një punë të shkëlqyer në parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

“Ne bëmë një punë të mirë me Indinë dhe Pakistanin, gjithashtu me Serbinë dhe Kosovën, Ruandën dhe Kongon. Dhe e gjithë kjo ndodhi gjatë tre javëve të fundit a më shumë, apo jo Marco?

Dhe ne ndaluam të tjerë që ishin gati të luftonin, dhe ne ndaluam shumë përleshje. Mendoj se ndaluam shumë luftëra të mëdha të them të drejtën.

Shumë të mëdha. Ishte India dhe Pakistani. Ndaluam luftën përmes tregtisë. Po merremi me Indinë, me Pakistanin, dhe ne u thamë se nuk do të merremi fare me ju nëse do të luftoni.

Ndoshta ishin gati në një fazë të bënin një luftë bërthamore, pasi siç e dini janë fuqi bërthamore. Ne e ndaluam dhe kjo ishte shumë e rëndësishme.

Po mundohemi që të ndihmojmë në mbylljen e këtij përbindëshi të krijuar nga Biden, për luftën që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Është diçka e tmerrshme. Nuk jam aspak i lumtur me presidentin Putin. Por kjo është diçka që s’do kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president. Kjo është një luftë që me mua nuk do kishte ndodhur kurrë”, tha Trump.

Lajme të ngjashme