Osmani pyetet se a do të takohet me Vuçiqin: Jemi këtu të japim kontributin e vogël, por të rëndësishëm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Budapest të Hungarisë, atje ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Kryetarja e shtetit ka folur shkurt para mediave, ku është pyetur edhe për një takim të mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Fillimisht, Osmani është pyetur për fitoren e kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ku u shpreh:
“Kosova ka pasur mbështetje dypartiake amerikane, që në fillim të viteve 90’ jemi bekuar me këtë përkrahje dhe për këtë arsye, kemi çdo arsye që të besojmë se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe tani me administratën e Trump”.
Tutje, ajo ka thënë se mezi pret të takohet me liderë të tjera dhe shpreson në rezultate produktive.
“Shpresoj që në fund të ditës të kemi rezultate produktive, mezi pres të takohem me liderë dhe të diskutojmë specifikat e marrëdhënieve tona. Por, edhe të kërkoj përkrahjen e tyre për integrimin euroatlantik të Kosovës.” – tha Osmani.
Nga gazetarët e huaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u pyet nëse do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, gjë të cilën e mohoi.
“Jo, zakonisht ne nuk takohemi. Siç e dini, Kosova dhe Serbia takohen nën dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Diskutimet vazhdojnë në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të ecim përpara me implementimin e marrëveshjeve që janë arritur.“ – tha ajo, transmeton Nacionale.
Në fund, Osmani shtoi se janë atje për të dhënë “kontributin e vogël, por të rëndësishëm”:
“Këtu, siç e dini, temat janë vendosur. Kryesisht në atë se si mund të bashkohemi si shtete evropiane në gjetjen e zgjidhjeve për paqen, stabilitetin, sigurinë ekonomike, si dhe krizën energjike. Do të japim kontributin tonë të vogël, por të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë do të bëjmë thirrje për vazhdimin e përkrahjes për Ukrainën, sepse besojmë që nuk është vetëm kërcënim për Ukrainën, por një kërcënim për sigurinë e të gjithë neve”.
Ndërkohë, sot dhe nesër mbahet takimi i pestë i Komunitetit Politik Evropian, ku po marrin pjesë 47 liderë të shteteve dhe qeverive.
“Udhëheqësit do të diskutojnë sfidat e sigurisë së Evropës, duke përfshirë luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, migrimin e parregullt dhe çështjet që lidhen me sigurinë ekonomike dhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT dhe tregtisë globale.” – thuhet në një njoftim të Këshillit Evropian.
Kosova atje po përfaqësohet nga Osmani, e cila më herët publikoi pamje me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, të cilin e falendëroi për mikëpritjen.
Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet në Shqipëri në pranverën e vitit 2025.