Osmani takon delegacionin e bizneseve amerikane, flasin për rritjen të bashkëpunimit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD), me të cilët ka biseduar për potencialin e bashkëpunimit ekonomik.
Në këtë takim, që është organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit, shefja e shtetit me delegacionin amerikan ka diskutuar edhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore.
“Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, Presidentja Osmani foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori”, është thënë në njoftim për medie të Zyrës së Presidentes.
Ndër të tjera, në takim janë përmendur edhe mundësitë e shumta për projekte, të cilat janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara.
“Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarësisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, është thënë në njoftim.