Osmani takim me Hovenier, flasin për dialogun e rëndësinë e bashkëpunimit me ShBA-në
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Është bërë e ditur se të dy kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë të rejat nga procesi i dialogut me Serbinë.
“Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese,”- shkruhet në njoftim.
Njoftohet po ashtu se presidentja Osmani ka nënvizuar sërish rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me ShBA-në në mënyrë që të arrihet progres në procesin e dialogut.