Osmani pyetet për sulmet e Kurtit dhe pushtetit ndaj Blerim Isufajt: Drejtojuni me pyetje atyre
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tashmë ka konfirmuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit.
Osmani në një konferencë para gazetarëve, është pyetur nga gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi nëse i ka ndjekur sulmet politike të kryeministrit Albin Kurti dhe eksponentëve të pushtetit ndaj Isufajt.
“Unë iu lus që ta lexoni parparakisht dokumentin, ku është vlerësuar procedura e përzgjedhjes, dhe do të shihni që ky është një vlerësim tërësisht i pavarur nga vlerësimet e institucioneve tjera. Mua më kanë ardhë një sërë raportesh të cilat e kanë bërë vlerësimin e procedurës, tani çfarë kanë thënë institucionet tjera, duhet t’u drejtoheni me pyetje atyre.” – u shpreh ajo.
Veç kësaj, presidentja ka deklaruar që zyrtarë të institucioneve të drejtësië “mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit”, e që në një vend demokratik, sipas saj ata do të përfundonin jashtë sistemit.
“Lexojeni dokumentin, e shihni çka është shqetësuese. Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve të drejtësisë mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demorkatik, ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit. Në një vend demorkatik, por e kemi sistemin si e kemi, prandaj Vettingu është i domosdoshëm. Ato janë presione të paligjshme, kur mendojnë se duke kërcënuar kreun e shtetit, do ta bëjnë atë e këtë, e do të marrin nënshkrime, nuk do të marrin nënshkrime me presione të tilla. Jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër, por jam e varur nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit tim. Këtë ta kenë të qartë ata që mendojnë se ndryshe merren vendimet.” – ka thënë ajo.