Osmani: Përpjekja e dështuar e Serbisë për të shtrembëruar të vërtetën e 24 shtatorit u shpalos para syve të botës
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua komunitetit ndërkombëtar pas aktit të agresionit nga shteti serb më 24 shtator, sulm nga i cili mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Osmani nënvizoi aktin e agresionit të shtetit serb atë ditë, për të cilin tha se ishte nxitur nga aspiratat e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës në stilin e Krimesë. Ajo tha gjithashtu se përpjekja e dështuar e Serbisë për të shtrembëruar të gjithë të vërtetën e 24 shtatorit u shpalos para syve të botës.
Në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Presidentja Vjosa Osmani nderoi heroin e rënë, Afrim Bunjaku, për të cilin tha se me guxim mbrojti integritetin territorial të shtetit të tij.
Ajo mes tjerash tha se sakrifica e Afrim Bunjakut shërben si një kujtesë "se sa e çmuar është liria dhe sa vigjilentë duhet të jemi për ta mbrojtur atë".
"Më 24 shtator, populli i Kosovës u zgjua me lajmin për një polic të vrarë dhe një tjetër të plagosur në orët e hershme të mëngjesit. Atë ditë Republika e Kosovës ishte cak i një akti agresioni të Serbisë përmes terroristëve dhe grupeve paramilitare. Sot dua të marr një moment për të nderuar kujtimin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën teksa po mbronte integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës sonë. Heronjtë si Afrim Bunjaku na kujtojnë çdo ditë se sa e çmuar është liria dhe sa vigjilentë duhet të jemi për ta mbrojtur atë. U prehtë në paqe dhe kujtimi i tij të shërbejë si një kujtesë për të gjithë si imperativ për t'iu kundërvënë forcave autoritare, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në mbarë botën." - tha Osmani.
Presidentja më tej theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj, për të promovuar sundimin e ligjit dhe demokracinë dhe për të nxitur marrëdhënie pozitive fqinjësore.
"Përkushtimi i Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, promovimin dhe avancimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe nxitjen e marrëdhënieve pozitive fqinjësore mbetet i palëkundur. "
Osmani tha se ngjarjet e 24 shtatorit u nxitën nga aspiratat e Serbisë për një aneksim të veriut të Kosovës në stilin e Krimesë. Ajo që Serbia nuk e kishte parashikuar, theksoi Osmani, ishte përgjigja e vendosur dhe profesionale nga Policia e Kosovës.
Ajo gjithashtu tha se institucionet e Kosovës kanë mbajtur një koordinim të ngushtë me praninë ndërkombëtare të sigurisë në vend, duke theksuar përkushtimin e vendit për siguri dhe stabilitet.
"Ajo që Serbia priste të ndodhte atë ditë ishte të kishte sukses në aneksimin e veriut të Kosovës në stilin e Krimesë. Ajo që u kap në befasi nga vendosmëria dhe reagimi i palëkundur profesional i forcave policore. Gjatë sulmit dhe që atëherë, institucionet e Kosovës kanë mbajtur një koordinim të ngushtë me praninë ndërkombëtare të sigurisë në vend. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët dhe partnerët për të kundërvepruar akte të tilla dhe për të parandaluar që të përsëriten." - deklaroi Osmani.
Ajo përmendi edhe përpjekjet e Serbisë për për të manipuluar të vërtetën, duke ndryshuar rolet e agresorit dhe viktimës.
Për sulmin e grupit terrorist dhe paramilitar në Bansjka, Osmani tha se ishin financuar, trajnuarm armatosur e mbështetur politikisht nga Serbia.
“Ajo që kemi sot nga Serbia është një zgjatje e përpjekjeve të tyre të përsëritura për të rrëzuar shkallën e kërcënimit të paprecedentë të sigurisë dhe aktit të agresionit të Kosovës. Ata donin gjithashtu të shtrembëronin të gjithë të vërtetën që u shpalos para syve të botës. Ata u përpoqën të ndërronin vendin e agresorit me atë të viktimës së agresionit. Por faktet janë të pakundërshtueshme dhe provat tregojnë të kundërtën. Këto grupe terroriste dhe forca paraushtarake janë financuar, trajnuar, armatosur dhe kanë marrë mbështetje politike dhe strehim nga një burim; Republika e Serbisë.” - tha ajo.
Ajo gjithashtu kërkoi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që ta mbajë Serbinë përgjegjëse përmes një hetimi për sulmin.
“Kosova ka nevojë për garanci thelbësore brenda kornizës euroatlantike, në mënyrë që duke ecur përpara duhet të fokusohemi që Serbia të jetë e përmbajtur nga sulmet terroriste në Kosovë dhe hetimi i sulmit të fundit terrorist”. - tha ajo.