Osmani për marshin e sotëm: Qytetarët me të drejtë janë shqetësuar shumë për mënyrën se si po shkon procesi në Hagë - NACIONALE

Osmani për marshin e sotëm: Qytetarët me të drejtë janë shqetësuar shumë për mënyrën se si po shkon procesi në Hagë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Në një intervistë për Kanal 10, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, foli me tone të ashpra ndaj qasjes së Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor, Presidentja tha se shqetësimi i opinionit publik është legjitim.

“Unë jam Presidente e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe përfshi të gjithë qytetarët të cilët me të drejtë janë shqetësuar shumë për mënyrën se si po shkon procesi në Hagë dhe, në veçanti, ajo që e kemi parë ka qenë një frustrim i jashtëzakonshëm në mënyrën se si u prezantua rasti nga Prokuroria, ku kishte një njollosje të drejtpërdrejtë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si procese jetike për vendin tonë,” deklaroi Osmani.

Sipas të parës së shtetit, momentet kur cenohen themelet e lirisë së vendit duhet të shërbejnë si pikë bashkimi, duke lënë anash çdo divergjencë politike të së kaluarës apo të tashmës.

“Kur ndodhin gjëra të tilla, nuk ka më asnjë dallim, qoftë i së kaluarës, qoftë i së tashmës. Po flas për dallime politike që neve do duhej të na mbanin të ndarë. Ne duhet ta kemi të gjithë një zë të bashkuar në kundërshtimin e çdolloj narrative e cila tenton që të njollosë luftën tonë çlirimtare, e cila ishte luftë për ta mbrojtur popullin e Kosovës,” tha ajo, duke shtuar se Kosova duhet “ta refuzojmë çdo lloj narrative e cila ka për qëllim që të barazojë agresorin me viktimën.”

Presidentja Osmani shtoi se beteja për të vërtetën historike është thelbësore për vetë ekzistencën e shtetit.

“Në të njëjtën kohë, jam e bindur që mbrojtja jonë e përbashkët e së vërtetës është mbrojtje e pastërtisë, vetë lirisë dhe pavarësisë sonë,” përfundoi Osmani.

Lajme të ngjashme