Osmani në maçinerinë e linçimit të pushtetit: Avdyli largohet, Gërvalla i uron “punë të mbarë”, Peci hesht
Vjosa Osmanit i është përshkruar tashmë lloj-lloj konspiracioni nga maçineria e linçimit të pushtetit të Vetëvendosjes. Krejt kjo pasi Albin Kurti në konferencë për shtyp foli për një “plan” kundër qeverisë së tij, për të cilën pritet të vendos Gjykata Kushtetuese a është fuqiplote apo vetëm kujdestare pas dekretit për shpërbërjen e Kuvendit nga Osmanit. Prej deputetë të Vetëvendosjes që kanë nisur krejt vagët të flasin për një “Plan” për rrëzimin e qeverisë “të materializuar” nga Osmani me dekret presidencial e deri në skajet e internetit, ish-aleatja e ngushtë e Kurtit, është duke e marrë trajtim demonizues të një shkalle të madhe. Deri edhe në modifikime me inteligjencë artificiale duke gjeneruar pamje denigruese. Në dritën e këtyre zhvillimeve, deputeti Haxhi Avdyli njoftoi dorëheqjen e tij nga funskionet e kësaj partie. Këtë dorëheqje e priti si “akt guximi” Zotëriu i Parë në largim, Prindon Sadriu. Partia Guxo lëshoi komunikatë ku i uroi deputetit Avdyli “punë të mbarë”. Këtë komunikatë e shpërndau Donika Gërvalla, por jo edhe bashkëkryetari tjetër, Faton Peci. Heshtja e Pecit ndaj Vjosa Osmanit është interpretuar se ai nuk është i linjës së hekurt refuzuese ndaj Vjosa Osmanit, siç ishte Donika Gërvalla muajve të fundit; në veçanti në kundërshtimet e forta që ajo të mos jetë kandidate për një mandat të tytë si Presidente e Kosovës.
Haxhi Avdyli tha se sulmet ndaj presidentes kanë kaluar kufijtë e debatit politik dhe janë shndërruar në një klimë të rrezikshme publike. “Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju apo fëmijët tuaj që kanë bindje ndryshe nga Partia”, deklaroi ai.
Sipas tij, thirrjet për dhunë, manipulimet me inteligjencë artificiale dhe sulmet personale janë “tërësisht të papranueshme” dhe përfaqësojnë një kthim në “një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës”. Deputeti theksoi se mospajtimi politik brenda grupit kishte ekzistuar edhe më parë, por se nuk kishte pritur një përshkallëzim të tillë publik.
“Nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linçim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime”, tha Avdyli. Ai shtoi se dorëheqja është një akt proteste për të mos u identifikuar me atë që e quajti strategji denigruese politike.
Reagimi i Partisë GUXO erdhi disa orë më vonë, përmes një deklarate të kryetares Donika Gërvalla. Gërvalla tha se partia e pranon dorëheqjen dhe e konsideron atë “zgjedhje të vullnetshme dhe të pakontestueshme”.
Në deklaratë, ajo falënderoi Avdylin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i uroi “shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme”.
Partia gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për përfshirje në fushata linçuese ndaj Presidentes Osmani.
“Askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt”, thuhet në reagim.