Osmani kërkon që ndërkombëtaret të jenë unik në dënimin e veprimeve të Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, të cilin e ka informuar për zhvillimet e fundit në vend.
Ajo ka bërë me dije Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë.
Sipas komunikatës për medie të Zyrës së Presidencës, Osmani ka kërkuar nga diplomati britanik që ndërkombëtarët të jenë unik në dënimin e veprime destabulueze të Serbisë në veri të Kosovës.
“Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Me tej, Osmani ka thënë se në veri të Kosovës po sfidohet rendi ligjor nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
“Kësisoj, Presidentja Osmani theksoi se është nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për ta siguruar sundimin e ligjit, paqes dhe sigurisë në mënyrë të barabartë në të gjithë Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë në njoftim.
Osmani emisarin britanik e ka uruar edhe për emërimin në Dhomën e Lordëve
Pas takimit me presidenten, emisari britanik është takuar edhe me kryeministrit Albin Kurti.