Osmani i reagon ashpër Hillit: Lë të kuptohet se ofendoi viktimat e Millosheviqit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se “Serbia është më afër NATO-s se sa Kosova”.
Osmani duke folur para gazetarëve, të mërkurën tha se një shtet si Serbia, “lëre që është larg NATO-s, por as nuk mendon që një ditë do të jetë pjesë e saj”.
“Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. E dyta, pikërisht Serbia vetë është anti-vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe është kundër NATO-s. Serbia është shteti i vetëm që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.” – ka deklaruar ajo, sipas “EO”.
Osmani tutje ka shtuar se Serbia është shtet që fle mbi barreza masive dhe se “kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.
“Serbia kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive, kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, nuk i ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa drejt NATO-s, mirëpo ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit." - u shpreh presidentja.
Çka tha Hill?
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, mbrëmë deklaroi se aktualisht Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova.
Në një intervistë për RTS, ai tha se, sipas tij, Serbia është më afër NATO-s se Kosova në këtë moment duke shtuar se kjo "është shumë e vërtetë".
"E dini, në fakt, nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova.” - pohoi ambasadori amerikan.
"Për momentin po. Kjo tani është shumë e vërtetë. Pra, ju sigurisht e dini se ne punojmë çdo ditë me ushtrinë serbe. Ne kishim stërvitje, kishim një sërë gjërash me ushtrinë serbe.” - tha Hill.