Osmani falënderon shefen e USAID-it për mbështetje në këto dy dekada
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, për mbështetjen që po i jep Kosovës.
Në një konferencë për media, pas takimit, ajo ka thënë se Power është një mike e çmuar për shtetin e Kosovës.
Ajo ka thënë se USAID-i për dy dekada ka qëndruar në krah të Kosovës.
“Ju keni qenë dhe mbeteni një mike e çmuar për ne. Këto takime bëhen të veçanta kur presim miqtë që kanë lidhje të ngushtë me popullin tonë. Dua të falënderoj për punën tënde të atëhershme dhe për punën e jashtëzakonshme që bën tani”, ka thënë Osmani, raporton Telegraf.
Më tej, shefja e shtetit ka thënë se në rrugën e saj demokratike Kosova çdo herë është mbështetur te ShBA-ja.
“Jam krenare që Republika e Kosovës gjithmonë ka zgjedhur demokracinë dhe rrugën euroatlantike. Ne jemi mbështetur gjithmonë tek ju, por edhe ne ju lutemi që të mbështetni tek si një partner”, ka thënë Osmani.