Osmani e përmend sërish “koordinimin” me ndërkombëtarët pas takimit me Sarrazin
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar sot me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Përmes një komunikate të publikuar nga Presidenca e Kosovoës, në takim thuhet se është diskutuar për zhvillimet në veri të vendit.
“Presidentja ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie.” – thuhet në komunikatë.
Tutje nga presidenca bëhet e ditur se “Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën” pas dorëheqjes së kryetarëve në veri të vendit.
Më pas, përmendet edhe një herë “koordinimi” me aleatët, gjë që nga presidentja po cilësohet si e rëndësishme.
“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.” – thuhet aty.
Në fund të komunikatës, shkruan si vijon: “Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj.”