Osmani e kritikon BE-në për “qasje totalisht të pabalancuar” në dialog - NACIONALE

Osmani e kritikon BE-në për “qasje totalisht të pabalancuar” në dialog

2 javë më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka dhënë një intervistë për RTV 21, në të cilin ka folur për ngjarjet e fundit politike, përfshirë suksesin e shtetit kosovar në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Në këtë intervistë, Osmani nuk ka ngurruar të kritikojë Bashkimin Evropian për “qasje të pabalancuar”.

Komandantja supreme e ka kritikuar BE-në për qasjen e saj në dialog, duke kërkuar që aleatët e Kosovës të bëjnë presion edhe në Serbinë.

“Është për keqardhje që kemi një qasje të tillë totalisht të pa balancuar. Në njërën anë ka kërkesa të vazhdueshme nga ana e Kosovës që të zbatojë të gjitha detyrimet nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksit të Ohrit, në anën tjetër nuk shohim kërkesa që ta bëjë të njëjtën gjë në mënyrë paralele në të njëjtën kohë. Kjo qasje e pa balancuar e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë vet kredibilitetin e dialogut dhe mundësinë që ai të ketë sukses. Në mënyrë që t’i kthehet ky kredibilitet dialogut është e domosdoshme që të gjithë aleatët dhe partnerët tanë të bëjnë presionin e nevojshëm në Beograd tek personi i vetëm që nuk është konstruktiv në këtë proces dhe ai është Vuçiqi dhe të kërkohet që të zbatojë pjesën e tij të marrëveshjes që si thelb e ka nenin 4 që kërkon që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” – ka theksuar presidentja Osmani.

Duke folur për ecjen e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Osmani tha se është e lumtur që themelimi i Asociacionit nuk është renditur si parakusht.

“Keni të drejtë se ka pasur trysni të vazhdueshme se Asociacioni të futet si parakusht para votimit në Asamble Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jemi shumë të lumtur se një gjë e tillë nuk është pranuar nga shumica dërrmuese. Siç e pash dje disa amendamente të propozuara nga disa deputet nga Serbia dhe vende të tjera u refuzuan masovikisht. Edhe raporti i juristëve eminent që është dokument i cili dorëzohet raportueses, Dora Bakoyannis, dëshmon se themelimi i Asociacionit nuk është standard i Këshillit të Evropës, ashtu edhe citohet në këtë raport. Megjithatë, raporti identifikon si cështje që ka të bëjë me të drejtat e pakicave dhe si kusht pas anëtarësimit. Por, kjo nuk do të thotë se shtetet anëtare do të flasin njësojë” – ka shtuar ajo.

Në këtë intervistë, Osmani ka reaguar në lidhje me ndalimin e mbi 300 qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, të cilit po udhëtonin përmes shtetit serb.

Sipas Osmanit, ky ndalim është një shovenizëm i pashoq.

“Është një shovinizëm i pashoq që e kemi parë edhe në vitet e 90-ta. Është shkelje flagrante e të drejtave të këtyre qytetarëve të cilët kanë të drejtën në lëvizjen të lirë dhe ta kalojnë kufirin në mënyrë që të vijnë deri në Kosovë. Atyre në mënyrë të paligjshme u janë konfiskuar edhe dokumentet. Të gjitha organizatat dhe partneret ndërkombëtar tashmë janë informuar për këto shkelje. Ata po i shohin edhe incizimet, i kanë dëshmitë dhe ju bëjmë thirrje që të gjithë jo vetëm të reagojnë nëpërmjet deklaratave, por edhe të bëjnë çmos që ta ndalin këtë çmenduri të Serbisë” – tha ai.

Lajme të ngjashme