Osmani e ashpër ndaj Vuçiqit, BE-së e Shqipërisë – thekset kryesore të intervistës së Presidentes
Presidentja Vjosa Osmani, një ditë pasi festoi një vjetorin në postin e shefes së shtetit, ka dhënë një intervistë të gjatë në ATV.
Aty e para e shtetit ka folur për shumë çështje përfshirë zgjedhjet në Serbi e mos lejimin e tyre në Kosovë, qasjen e Bashkimit Evropian karshi Kosovës, demarkacionin, projekt kodin civil e anëtarësimin në NATO.
Që në fillim të emisionit, ra në sy gjuha jo aq diplomatike e Osmanit kur kritikoi BE-në, qasjen e të cilës e vlerësoi si të padrejtë.
Por, fillimi i emisionit kuptueshëm shkoi për zgjedhjet serbe.
Duke folur për zgjedhjet serbe që u mbajtën të dielën që shkoi, Osmani ka thënë se ato nuk prodhuan asgjë të re.
“Zgjedhjet në Serbi nuk prodhuan asgjë të re, sa i përket lidershipit atje. Natyrisht nuk besoj që dikush ka pritur diçka të re, duke e ditur që atje është instaluar qe një kohë të gjatë një autokraci defakto, ku nuk ka as shoqëri civile e as media të lira, as liri të mendimit dhe të shprehjes, e aq më pak opozitë që do të mund t’i bënte ballë autokracisë së Vuçiqit”, deklaroi Osmani në ATV.
Përveç fjalëve të ashpra ndaj Vuçiqit, Osmani nuk kurseu as kritikat ndaj BE-së duke e akuzuar për trajtim të pabarabartë ndaj Kosovës.
"Bashkimi Evropian ka qenë i zëshëm ndaj nesh, ani pse nuk e kemi zbatuar vetëm një marrëveshje, edhe pse është ndalur me të drejtë. Është e qartë që nuk ka trajtim të barabartë të palëve dhe nëse ne nuk e kërkojmë këtë trajtim të barabartë, nuk pritet të ketë diçka konkrete", tha mes tjerash Osmani.
Osmani nuk la pa komentuar as kritikat ndaj Qeverisë për mos lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, të cilën pa ekuivoke Presidentja e konsideroi vendim të mirë.
"Unë çuditem se si kritikoni për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve. Mbajtja e tyre do të ishte thyerje e sovranitetit të vendit. Ne nuk duhet dhe nuk do t'i dëgjojmë asnjëherë kërcënimet e Serbisë”, shtoi Osmani.
Gjuha e mprehtë e Osmanit nuk e kurseu as Shqipërinë.
Ajo tha se nuk e kupton se pse shteti shqiptar pranon një iniciativë ku Kosova nuk trajtohet si shtet.
“Unë nuk e di pse Shqipëria do të pranonte një iniciativë të tillë ku Kosova nuk do të trajtohet si shtet sovran dhe ku rol të rëndësishëm ka Vuciqi, udhëheqësi i një shteti që në baza ditore tenton ta destabilizojë Kosovën dhe ta shkel sovranitetin e saj”, tha Osmani.
E kur përfundoi me kritika, Osmani u pyet për një temë që shpesh rikthehet në debatin politik e publik.
Për rishikimin e demarkacionit duhet të pajtohen Kosova e Mali i Zi, për çka Osmani tha se nuk e di nëse shteti fqinj është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë.
“Nuk mund të bëhet diçka për Demarkacionin. Përveç asaj pjesë të akorduar në Kuvend të Kosovës. Aty është ratifikuar. Aty është ratifikuar edhe një deklaratë e përbashkët, e cila parasheh një trupë e përbashkët që potencialisht do të shqyrtojë pikat e marrëveshjes. Por, kjo varet nga gatishmëria e të dyja vendeve. Tash, sa është i gatshëm Mali i Zi, nuk e di", deklaroi Osmani.
Presidentja ishte më optimiste kur foli për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Ajo tha se Kosova është e gatshme të anëtarësohet në Aleancën ushtarake më të madh në botë.
"Është rritur prioritizimi. Ne jemi të gatshëm. Por kjo nuk do të thotë se do të pranohemi të nesërmen e ditës së aplikimit. Të jemi të qartë. Por, duke parë edhe situatën momentale në Evropë, dëshira dhe synimet janë rritur. Shto këtu, jemi shteti më pro-NATO në botë", shtoi Osmani në ATV.
Ndërsa Osmani komentoi edhe liberalizimit të vizave për Kosovën, të cilën tha se nuk dëshiron të japë fjalë të mëdha për shkak të mundësisë së zhgënjimit që mund të pasojë.
Në fund, Osmani ka folur edhe për punën e projekt kodit civil që parasheh mundësinë e bashkimit civil për sekset e njëjta. Ajo ka thënë se gjuha e përdorur nga disa deputetë kur kjo çështje po trajtohej është e papranueshme duke paralajmëruar rikthimin e kësaj nisme ligjore përsëri në Kuvend.