Gjendja shëndetësore e Osmanit stabile, nuk dihet nëse do të lirohet sot - NACIONALE

Gjendja shëndetësore e Osmanit stabile, nuk dihet nëse do të lirohet sot

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke iu nënshtruar terapisë postoperative në spitalin privat "Aloka", sipas xhaxhait të saj, i cili është edhe ndihmës mjek i Presidentes, raporton T7.

Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik, (heqja e tëmthit).

Xhaxhai i zonjes Osmani, Eshref Osmani, ka bërë me dije se kur pritet të lirohet e para e shtetit nga spitali.

“Mirë është gjendja, nuk ka ndonjë problem. Është stabile. Hala nuk e kemi vendos nëse do të lirohet sot” - ka thënë ai për T7.

Nacionale të martën mbrëma raportoi ekskluzivisht se presidentja e vendit është shtrirë në spital pas një intervenimi kirurgjik (heqja e tëmthit).

Nga Presidenca në një komunikatë veçse kishin lajmëruar se presidentja e vendit e kishte kaluar me sukses operimin. Po ashtu ata kishin thënë se ajo do ta niste punën gradualisht.

Pas raportimit, reagoi Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media konfirmuan se ajo ia ka bartur kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit, kryekuvendarit, Glauk Konjufca.

"Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Sipas komunikatës gjithnjë, nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’u kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamentale për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”,
thuhej në njoftimin e Presidencës.

Lajme të ngjashme