OSBE mirëpret synimin e Bordit të RTK-së për të kërkuar “përgjegjësinë redaktoriale” për lajmin e madh të rremë
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka reaguar në lidhje me shqetësimet enorme publike rreth një lajmi të madh të rremë të dhënë në lajmet qendrore në Radio Televizionin e Kosovës – të marrë nga një media boshnjake famëkeqe për dezinformim – për çka u shprehën se “lavdërojnë” synimin e Bordit të RTK-së për të qartësuar situatën dhe për të kërkuar përgjegjësi redaktoriale.
“Liria e medias dhe integriteti gazetaresk janë gurët e themelit të një shoqërie demokratike. Ne lavdërojmë Bordin e Radio Televizionit të Kosovës për vendimin e tyre të shpejtë për të shqyrtuar një raport të fundit të publikuar më 22 korrik, duke adresuar shqetësimet e mundshme dhe duke sqaruar përgjegjësinë editoriale. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve publikë që të mbështesin mediat në mbajtjen e publikut të informuar dhe për t'i mbajtur institucionet përgjegjëse. Ruajtja e një dialogu të qetë dhe konstruktiv është thelbësor”, ka shkruar OSBE në një reagim.