‘Opozita të bëhet gati’: Kurti deklarohet sërish për mbajtjen e zgjedhjeve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish rreth mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Gjatë një paraqitje të tij sot, Kurti ka thënë se “opozita duhet të bëhet gati”.
"Opozita duhet të bëhet gati. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund.
Për mu ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative, sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara." - ka thënë Kurti para mediave.
Vlen të përmendet se pas takimit me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, kryeministri Kurti takoi edhe partnerët e koalicionit, partinë “Guxo”.
Kryeministri Kurti i shoqëruar nga shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u takuan me kryediplomaten Donika Gërvalla dhe ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
Temë diskutimi ishin zgjedhjet të cilat po i kërkon opozita. Megjithatë, nga ky takim doli se nuk mund të ketë diskutime serioze për zgjedhje, pa pasur harmonizim ndërmjet opozitës.
“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor.” - thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti të hënën pas darkës me Memli Krasniqin e PDK-së, u shpreh se zgjedhjet e reja janë çështje muajsh.
Ai mes tjerash deklaroi se është i interesuar që të caktohet data me të gjitha partitë opozitare.
"Që nga marsi i këtij viti mund të themi se zgjedhjet janë çështje muajsh. Jam i interesuar të diskutoj me të gjitha partitë, se kur duhet të mbahen zgjedhjet. Për mua më mirë do të ishte në pranverë ose në vjeshtë, sepse nëse mandate shkon deri në fund, i bie që zgjedhjet të mbahen dimrit. S’po them se s’bën të mbahen dimrit, por le ta diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe ta shohim se cila është data me të cilën pajtohemi më së shumti." - ka thënë Kurti.