Opozita po vjen: I thonë Nacionales “mjaft i dhamë kohë Kurtit”
KUJDES! Subjektet politike opozitare kanë paralajmëruar ashpërsim të aktivitetit të tyre në kundërshtim të Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e këtyre partive kanë thënë për gazetën Nacionale se “mjaft i kanë dhënë kohë kryeministrit Albin Kurti” për ta treguar veten në qeverisje.
Sipas tyre, tani e tutje kundërshtimi opozitar do të jetë më i ashpër.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka pranuar se opozita ka mundur të bëj më shumë në vitin e parë të këtij mandati. “Për një kohë të gjatë Kosovës i është imponuar një opozitë e cila ka qenë agresive, e cila shpesh herë ka prodhuar metoda jo politike. Tash kur na shohin ne shpesh herë krijohet përshtypja se nuk po bëjmë mjaft. Unë e di që ka hapësirë që të bëhet më shumë, dhe ne do të bëjmë më shumë. Do të shihni javëve në vijim një aktivitet të shtuar, një dinamizëm më të madh të opozitës në Kosovë, në këtë rast po flas për PDK-në”, ka thënë Çitaku.
Ajo e ka arsyetuar butësinë e opozitës ndaj Qeverisë Kurti 2.
“Në anën tjetër, ne është dashur të ia japim kohën e duhur Kurtit, sepse ka fituar një mandat të fuqishëm, prej 50 për qind, dhe ne është dashur të ia japim kohen që ta dëshmojë veten. Por, në anën tjetër edhe ne është dashur pak të merremi me veten tonë, sepse ne kemi marrë një goditje jo vetëm me rezultatin zgjedhor. Siç dihet PDK-ja është goditur shumë me arrestimin e presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli. Pra, ne i kemi pasur edhe disa procese tjera me të cilat është dashur të përballemi”, ka deklaruar ajo, duke paralajmëruar ndryshim të dinamikës opozitare.
“Mirëpo unë po ju siguroj se javëve në vijim do të shihni një aktivitet të shtuar, një aktivizëm më të madh të Partisë Demokratike të Kosovës. Jo me gaz lotsjellës, jo me gur, por do t shihni një aktivizëm më të madh”, ka shtuar ish ambasadorja në Washington.
Edhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka treguar arsyet se pse nuk e kanë ngucur shumë Qeverinë.
“Unë do ta shpjegoja me dy arsye pse ndoshta nga jashtë opozita duket që është pak pasive, e para Qeveria nuk po bënë asgjë, pra nuk ka vendime e punë që ne të kritikojmë dhe reagojmë për punën e tyre, dhe kjo i bie që ata janë ende në gjumë, ndërsa e dyta është që një qeveri e cila merr mbi 50% të votave duhet patjetër ta lësh një kohë që masa/populli ta sheh dhe kuptojë përfomancën e dobët të qeverisë dhe pastaj mund dhe duhet të vijnë reagimet dhe të bëhet një opozitë e fortë”, ka thënë Lekaj për gazetën Nacionale.
Sipas tij, pas vitit të parë të këtij mandati, do të ndryshojë edhe aktiviteti i kësaj partie ndaj qeverisë aktuale. “Tani kanë kaluar një vit dhe ne nuk kemi qenë keq, por nuk e mohojmë që tani e tutje do të jemi edhe më të mirë në mbrojtje të interesave shtetëror e të qytetarëve”, ka thënë Lekaj.
K O O R D I N I M I do të rritet
Përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së kanë treguar se do ta rrisin edhe bashkëpunimin ndërmjet këtyre partive.
Sipas Vlora Çitakut, edhe deri tani ka pasur një koordinim në mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. “Ka një koordinim në disa pika në mes të partive opozitare, ne kemi thirrur disa seanca të jashtëzakonshme parlamentare si opozitë në Kuvend, si për energji, për rritje te pagave, për rritje te çimeve, dhe këto janë bërë në koordinim. E kemi mbështetur njëra-tjetrën në këto iniciativa, sepse asnjëra prej nesh nuk i ka votat e mjaftueshme për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvend”, ka thënë ajo.
Edhe analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh në mes të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
“Ky vit dhe kriza aktuale pas agresionit të Rusisë në Ukrainë besoj se ua hap mundësinë partive opozitare që të paraqiten me ide kreative për bashkërenditje të platformave vepruese sepse sot edhe kriza e rendit botëror kërkon hartimin e një platforme koncesuale politike karshi situatës gjeostrategjike. Kjo duhet të bëhet edhe me Qeverinë, por nëse ajo nuk pranon bashkëpunimin, atëherë mund ta bëhet edhe si një formë e bashkëpunimit opozitar që do të fuqizonte edhe presionin ndaj qeverisë për të qenë më e përgjegjshme, dhe do të ndihmonte opozitën të ketë ndikim më të madh në opinion”, ka thënë Maliqi për gazetën Nacionale.