Opozita për pjesën e dytë të përgjimit: Mimoza s`është protagoniste, është ndërmjetësuese
Pjesa e dytë e përgjimit të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka vazhduar të jetë temë kryesore në të gjitha mediat në vend.
Diskutimi e deputetes së VV-së me deputetin e Listës Serbe për koordinim, që dëgjohet në përgjim, ka nxitur reagime të shumta.
Deputetët e partive opozitare kanë bërë me dije se përgjimi ka demaskuar partinë në pushtet, e cila vazhdimisht ka thënë se nuk bashkëpunon me Listën Serbe.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se përgjimet e Nacionales po tregojnë se partia në pushet është koordinuar edhe me njerëz që janë në listës e zezë të Amerikës.
“O jo, jo. E keni huqë! Nuk jeni taku ‘veç me Listën Serbe’, por keni folë me Radojçiçin, që është futur në listën e zezë të SHBA-së, dhe atë PASI që e kanë futur. Jo një por DISA herë! Relativizojeni sa të doni. Asgjë nuk e zhbën demaskimin që po ju ndodh.”, ka shkruar Kica-Xheli.
Ajo ka bërë me dije se shefja e GP të VV-së nuk është protagoniste në këto përgjim.
Sipas saj, askush në VV nuk guxon të flasë pa bekimin nga lart.
“Nuk ju shpëton më asnjë referencë e të kaluarës sepse ju e keni sabotuar të tashmën e të ardhmen në të njëjtën kohë që keni dëmaskuar qenien tuaj të të gjitha kohërave. Besa s’e keni huqë hiç. Aspak! Shumë mirë po e dini çka ka ndodhur. Prandaj krejt ky panik! Mimoza as nuk është protagoniste këtu - është ndërmjetësuese. Askush nuk guxon të flas në atë grup me askënd pa ‘bekimin nga lart’.” – ka shkruar ajo.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se përgjimi tregon se deputetja e VV-së ka folur 5 herë me Radojiçiqin.
“5 herë nga 2-3 minuta. S’ka dert që Milani s’është i pastër për Amerikë, me rëndësi për Vetëvendosjen po. Ani, çka po bajmë të mërkurën? Ah, Mimozë, Mimozë!”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Kurse, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shkruar se derisa Lajçak po e ndërmjetëson dialogun e Brukselit, Kusari-Lila po e ndërmjetëson dialogun VV-Lista Serbe.
“Lajcak ndërmjetëson dialogun Kosovë - Serbi. Mimoza Kusari ndërmjetëson dialogun Vetëvendosje - Lista Serbe.”, ka shkruar Molliqaj.
Pjesa e dytë e përgjimit
Sot është publikuar edhe pjesa e dytë e përgjimeve të Mimoza Kusarit me Sllavko Simiqin e Listës Serbe.
Gazetari Berat Buzhala ka treguar se si në këtë përgjim Sllavko Simiqi i thotë Kusarit se (sic) do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti dhe se kishte folur pesë herë me të dyshuarin për krime, Millan Radojiçiqin. Mimoza Kusari mbeti në heshtje. Ajo dje në një emision kishte thënë që kishte biseduar vetëm njëherë.
Në pjesën në vazhdim, me tone dashamirëse, Mimoza e VV-së me Sllavkon e Srpskas flasin edhe për gjëra tjera.
Aty është edhe një mesazh i Radojiçiqit të cilin ia lexon Simiqi znj. Kusari. Radojiçiqi i thotë Kusarit se PDK-ja i ka shkaktuar “më së shumti dëme në jetë” dhe se do të përballej me ta “sa të ishte gjallë”.
Dhe derisa Radojiçiqi po vazhdonte të ankohej para shefes së deputetëve të VV-së për trajtimin që po i bëhej nga shteti i Kosovës, në një moment ia thotë edhe kjo fjalë në mesazh:
“Ndoshta kam mundur unë që të publikoj komunikimin që kemi pasur unë e ti, drejtpërdrejtë – kjo është ajo që të përfoli unë – por, jo, jam në rend të parë njeri që këtë nuk e bën e pastaj politikan që ju e keni nënçmuar shumë.” - shkruhet tutje në atë mesazh.
Kusari më pas interesohet se për çfarë arsyesh e kanë vënë në listë të zezë të Amerikës Radojiçiqin dhe se pse Lista Serbe nuk po ia shprehte shqetësimet ambasadorit amerikan.
Kujtojmë se Nacionale do të publikojë edhe një përgjim tjetër të komunikimit mes Kusarit dhe Simiqit.
Ditën e djeshme është publikuar përgjimi i parë, e ku në mënyrë të qartë Kusari e pranonte se kishte komunikuar me të dyshuarin për krime të ndryshme Millan Radojiçiqin.

