Opozita pasi lëshoi sallën: Pushteti po tenton t’i kap tri segmente të shtetit
Partitë opozitare tashmë kanë dalë me qëndrimet e tyre, pasi lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës, ku sot pritej të votohen tri projektligje që po konsiderohen goxha problematike. Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër propozimit të Driton Selmanajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të kthyer prapa ligjin për shërbyesit civil. Njëjtë, VV-ja refuzoi që të tërhiqet nga rendi i ditës edhe projektligji për KPM-në dhe atë për KPK-në.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, tha se nuk kanë mundur të vazhdojnë qëndrimin, “ku po tentohet të kalohen tri projektligje që rrezikojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike të zyrtarëve publikë”.
“Ne nuk mund të bëhemi palë të kësaj qeverie që, përmes Kuvendit të Kosovës, orvatet të ushtrojë kontroll autoritar, t'i frikësojë dhe t'i kap mediat, gjyqësorin dhe administratën publike.” – ka thënë ai.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se pushteti që nga viti 2021 po tenton t’i kapë tri segmente të shtetit – sistemin prokurorial, KPM-në dhe zyrtarët publikë.
“Nuk mund të bëhemi pjesë, si LDK, e një agjende e cila duket tashmë që është e shumicës parlamentare, që të votojë ligje, ose të marrë vendime që janë në shpërputhje me agjendën shtetërore dhe rrugën për integrim në BE. Ne sot kishim në agjendë trajtimin e tri projektligjeve shumë të rëndësishme, ka të bëjë me sistemin prokurorial, ka të bëjë me KPM-në, dhe ligjin për Zyrtarët Publikë, që kap mijëra shërbyer publik në Kosovë.
Kemi një përpjekje të qartë të mazhorancës që nga viti 2021 që t’i kap këto tri segmente të shtetit. Kemi dërguar ligjin për KPK-në dhe për zyrtarët publikë në Kushtetuese.” – ka thënë ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri,në anën tjetër, ka kritikuar ashpër pushtetin duke thënë se po tentojnë të godasin demokracinë me Ligjin për KPK-në, Projekligjin për KPM-në dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Tahiri ka kërkuar që të ndalet shkatrrimi i shtetit, teksa ka treguar se cilat janë problemet e këtyre ligjeve.
“Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë, duke shkaktuar dëme afatgjate për institucionet e pavarura kushtetuese, duke goditur në themel administratën shtetërore, duke krijuar pasiguri juridike dhe duke e lënduar fuqishëm shtetin e së drejtës.” – shkroi ai në rrjetin social Facebook.
Ndryshe, seanca pritet të vazhdojë pas pak, derisa e njëjta po mbahet në një sallë alternative, për shkak të punimeve në Kuvendin e Kosovës.