Operacioni “Milioni”: 6 të arrestuar, policia publikon pamje nga aksioni kundër fajdes në Prizren e Suharekë
Gjashtë persona janë arrestuar pas një aksioni të policisë kundër fajdes dhe detyrimit në Prizren dhe Suharekë.
Në një njoftim nga Policia dhe Prokuroria, bëhet me dije se gjatë operaionit “Milioni” janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.
Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
“Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro. Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga PTh- Prizren, ndalohen për 48 orë.” – thuhet në njoftim.