Odat Ekonomike e dënojnë gjuhën linçuese: Partitë t'i mbajnë larg diskursit të tyre politik ndërmarrësit në vend - NACIONALE

Odat Ekonomike e dënojnë gjuhën linçuese: Partitë t'i mbajnë larg diskursit të tyre politik ndërmarrësit në vend

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet e partisë në pushtet – Vetëvendosje – ndaj bizneseve kryesore të vendit gjatë fushatës zgjedhore nuk kanë të ndalur. Mirëpo, kjo gjuhë po kritikohet ashpër nga odat ekonomike vendore dhe ato të huaja në Kosovë. Gjuha e përdorur nga VV-ja po cilësohet e rrezikshme.

Ditë më parë kryetari i VV-së njëherit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fushatës sulmoi ndërrmarrjen Devolli Grup.

E për këtë sulm ka reaguar Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë të cilët kanë kërkuar që bizneset të mbahen larg gjuhës së tyre politike.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me sulmet verbale të ditëve të fundit, por edhe ato të vazhdueshme, ndaj ndërmarjeve private në Kosovë. Duke rikujtuar institucionet e vendit se pikërisht ndërmarjet private kanë bartur për vite me radhë barrën e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, Oda Amerikane shpreh shqetësimin se politizimi dhe sulmet ndaj këtyre ndërmarjeve për qëllime politike janë veprime nga të cilat partitë politike dhe bartësit e institucioneve duhet të përmbahen.” – thuhet në reagimin e tyre.

“Oda Amerikane rikujton se ndërmarjet si Devolli Corporation dhe Devolli Group kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin e ekonomisë së Kosovës, duke fuqizuar kapacitetet prodhuese dhe rritur eksportet, duke kontribuar në përmirësimin e bilancit të pagesave të Republikës së Kosovës.” – thuhet tutje.

Më tej, në reagimin e tyre thuhet se sulmet ndaj ndërmarrësve cenojnë reputacionin e tyre dhe përkeqësojnë klimën e investimeve në vend.

“Ndërmarjet private janë promovuesit kryesorë të potencialeve dhe interesave ekonomike të Kosovës, përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Sulmet e vazhdueshme ndaj tyre cenojnë reputacionin e këtyre ndërmarjeve dhe përkeqësojnë më tej klimën e investimeve në vend, e cila tashmë ka shënuar rënie, siç evidentohet në Deklaratat e Klimës së Investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit.”

“Nëse institucionet shtetërore dhe partitë politike nuk janë në gjendje të ofrojnë mbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të ndërmarjeve private, atëherë duhet të shmangin përfshirjen e tyre në diskursin politik. Në të kundërtën, ato do të mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin e treguesve socio-ekonomikë, përshirë cenimin e prospekteve për tërheqjen e investimeve të huaja.” – thuhet në këtë reagim.

Edhe Oda Ekonomike Kosovë-Izrael ka dënuar gjuhën linçuese.

“Oda Ekonomike Kosovë-Izrael dënon gjuhën linçuese me konotacion politik të përdorur ndaj korporatave apo komuniteteve të biznesit, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore dhe tubimeve politike”.

“Deklarata apo thirrje që cenojnë punën dhe dinjitetin e individëve apo grupeve dhe që si pasojë synojnë denigrimin e figurës së tyre dhe të bizneseve që ata përfaqësojnë janë të papranueshme. Një retorikë e tillë jo vetëm që është në kundërshtim me vlerat e rendit demokratik, por përbën gjithashtu një shkelje të drejtëpërdrejtë të lirive dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Kosovës për të ndërmarrë iniciativa private dhe për të zhvilluar mirëqenien e tyre dhe të komunitetit ku ata jetojnë dhe punojnë” – thuhet në reagimin e tyre.

Po ashtu edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka vizituar Devolli Group, ku ndër të tjera kanë thënë se janë të shqetësuar se investitorët mund të jenë të frikësuar nga deklarimet publike.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme në gjuhen e përdorur për bizneset dhe prodhuesit siç është Devolli. Bizneset dhe prodhuesit vendor nuk janë në fushat zgjedhore një mujore për të marr mandat dhe pushtet katër vjeçar, bizneset dhe prodhuesit vendor janë në fushat përmanent jetësore ekonomike për të zhvilluar shtetin 365 ditë në vit” – ka thënë Shahini.

Në anën tjetër për këto sulme ka reaguar edhe kompania Devolli Group.

Lajme të ngjashme