Numërimi i votave të rregullta të kandidatëve drejt fundit: Këto janë më të votuarit e partive
Rreth 90 të votave të kandidatëve për deputetë janë verifikuar në platformën zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Nga 2 mijë e 557 vendvotime, janë proceduar 2 mijë e 245.
Në partinë Vetëvendosje prin Albin Kurti me 305 mijë vota, i pasuar nga Glauk Konjufca me 236 mijë, dhe Albulena Haxhiu me 124 mijë.
Donika Gërvalla vazhdon të jetë shumë më e votuar se Xhelal Sveçla, për plot 13 mijë vota më shumë.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, i pari qëndron Bedri Hamza i ndjekur nga Arian Tahiri me 61 mijë vota, dhe i treti Përparim Gruda me 57 mijë vota.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i pari është Lumir Abdixhiku i pasuar nga Hykmete Bajrami me 43 mijë vota.
Ukë Rugova qëndron i treti, i pasur nga Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili të cilët qëndrojnë afër me vota me njëri tjetrin në pozitën 4 dhe 5.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës i pari është Ramush Haradinaj i pasuar nga Daut Haradinaj, dhe Besnik Tahiri; ky i fundit duke arritur që të hyjë në Kuvend, pasi që në legjislaturën e kaluar nuk kishte pasur votat e mjaftueshme.
Pas tyre vinë Bekë Berisha, Agim Çeku dhe Time Kadrijaj.
Por, marrë për bazë kuotën gjinore, Agim Çeku rrezikon të mbetet jashtë kuvendit.
Votat me postë të diasporës, nesër nis numërimi
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të premten, më 2 janar 2026, nga ora 10:00, do të nisë numërimi i fletëvotimeve të ardhura nga diaspora përmes postës.
Sipas Elezit, bëhet fjalë për 27 mijë e 600 fletëvotime, të cilat janë tërhequr nga dy kuti postare në Berlin dhe Bernë. “Në këto dy kuti janë pranuar mbi 28 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime”, ka deklaruar ai, duke shtuar se pas procesit të vlerësimit dhe verifikimit nga KQZ-ja, 27,600 pako janë aprovuar, ndërsa mbi 950 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Numërimi i votave do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Elezi ka theksuar se procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare ende nuk ka përfunduar dhe do të vazhdojë më 2 dhe 5 janar 2026, prandaj ende nuk dihet numri i saktë i qytetarëve që kanë votuar përmes postës nga rreth 58 mijë votues të regjistruar.