Numërimi i votave të diasporës, me kusht e të personave me nevoja të veçanta: Elezi jep detaje
Javën tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të fillojë numërimin votave me kusht, atyre të diasporës dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për “Kosova Press” se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotime.
Kjo, sipas tij është e domsdoshme para se të fillojë numërimi i votave të mbetura, që të sigurohen se askush nuk ka votuar dy herë.
“Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë” – u shpreh ai.
Tutje, Elezi ka dhënë detaje për votat e diasporës:
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 21 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140 ndërkaq janë refuzuar 3,269. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj. Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 14,306 pako me fletëvotime. Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike. Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”.
Numri i zarfeve me fletëvotimet me kusht ndërkaq, është 12 mijë e 801.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje ka dalë e para më 342 mijë e 281 vota, apo 40.80 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184 mijë e 811 vota apo 22.03 për qind. LDK ka dalë e treta më 147 mijë e 888 vota ose 17.63 për qind.
Koalicioni AAK-Nisma ka dalë e katërta në këto zgjedhje me 62 mijë vota.