Nuk ka konstituim të Kuvendit: Pas Haxhiut e Gërvallës dështon edhe Hekuran Murati - NACIONALE

Nuk ka konstituim të Kuvendit: Pas Haxhiut e Gërvallës dështon edhe Hekuran Murati

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputetët nuk kanë arritur as sot të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi kandidati i ri i VV-së për kryetar të Kuvendit, Hekuran Murati nuk i ka marrë votat e nevojshme për kryetar të Kuvendit.

Për Muratin kanë votuar 57 deputetë “për”, 52 “kundër” dhe 6 kanë abstenuar.

Pas dështimit të votimit, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thënë se seanca e radhës do të mbahet të dielën në 11:00.

Para fillimit të seancës, “opozita” i ka dhënë qëndrimet e veta.

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se Kosova ka nevojë për zgjidhje afatgjate.

Para hyrjes në Kuvend, ai ka thënë se zgjidhje parciale nuk formohen institucionet.

“Çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata tjera dhe jo krijim të institucioneve”, ka thënë Limaj, duke treguar synimet e Nismës.

“Mbetesh në zgjidhje gjysmake që nuk janë në interes të Kosovës. Ne jemi të përkushtuar e të interesuar që Kosova t`i ketë të gjitha institucionet sa më shpejt”, ka thënë Limaj.

Kurse, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije shfrytëzimi i të drejtës për të propozuar pa i siguruar votat është pozicion i shkurtër politik.

Para hyrjes në Kuvend, ai ka uruar që të reflektojë VV-ja në këtë drejtim.

“Me e shfrytezu të drejtën e propozimit pa e siguru votën për të qenë i zgjedhur është pozicion i shkutër politik. Uroj që me kalu këtë klimaks politik partia e parë dhe me nderu një marrëveshje që i garanton të propozuarit që mund të zgjidhet”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, Kosova po futet në një gropë të zezë institucionale.

“Kosova sot nuk ka as Kuvend, as qeveri. Tash nuk ka legjitimitet të plotë as pushteti lokal, sepse është në proces zgjedhor. Për pak muaj as presidentja nuk do ta ketë funksionin me e ushtru deri në fund. Kështu që, Kosova hyn në një gropë të zezë institucionale, e cila nuk mund të parashikohet”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme