“Nuk jemi plotësisht sovran”: Sveçla tregon qysh ish-komandanti i KFOR-it ia ndali helikopterin me qira - NACIONALE

“Nuk jemi plotësisht sovran”: Sveçla tregon qysh ish-komandanti i KFOR-it ia ndali helikopterin me qira

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Paraushtarakët e Milan Radojçiqit “nuk ishin rrethuar” siç ishte kumtuar në konferencë për media nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e 24 shtatorit të vitit të kaluar derisa sulmi terrorist po zhvillohej në Bansjkë të Zveçanit, konfirmoi mbrëmë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ndonëse Kurti njoftonte se perimetri i tyre ishte rrumbullakësuar dhe u bënte thirrje që sulmuesit të lëshonin armët nga dora dhe të dorëzoheshin para policisë kosovare, Sveçla, tash një vit pas, tha se situata s’ka qenë ashtu.

“Jo, nuk kanë qenë të rrethuar. Tash është fakt kjo, tash një vit dihet. Ka qenë e pamundshme m’i rrethu. Prej një kodre në kodrën tjetrën t’i merr një orë dy. Na s’kena pas helikopter që m’ju pre atyre rrugën”, tha Sveçla për “Kallxo.com.

Me t’u përmendur helikopteri, doli edhe një çështje tjetër – sovraniteti.

Ndonëse ky koncept është stërthjeshtuar dhe bërë ungjill qeveritar tash e këto katër vite, Sveçla duke u thirrur në atë se KFOR-i ka kompetencat finale të sigurisë në vend; dhe kësisoji kontrollon edhe hapësirën ajrore të Kosovës, tha kështu:

“Nuk jemi plotësisht sovran”.

“Ty a po ta merr mendja që KFOR-i i kish bart policinë e Kosovës atje? Jo Jeta”, vazhdoi të thotë Sveçla.

Për të mbështetur atë se pse Kosova “nuk është plotësisht sovrane”, Sveçla tregoi se si ish-Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, nuk i kishte lejuar autoritetet kosovare të fluturojnë një helikopter privat për të bartur një të akuzuar për terrorizëm: Dejan Pantiqin.

“Po ne kemi plane në vazhdimësi me ble helikopter, por e kemi një problem. Se hapësirën ajrore e kontrollon KFOR-i. Do të thotë, ne nuk jemi plotësisht sovran... Risttuccia mua ma ka nalë helikopterin privat. Me marrë Dejan Pantiqin nga Jarinja m’e dërgu në burgun e Mitrovicës. Që e kena marrë ne me qira”, tha Xhelal Sveçla.

“Ristuccia nuk na ka lanë. Ju s’e keni ditë këtë, shumë pak e kanë ditë. Kjo është realiteti për sa i takon...helikopterit. Në atë kohë na ka dëmtu me dalë me tregu që na ka nal KFOR-i, tash nuk na dëmton”, shtoi Sveçla.

Ristuccia kishte qenë i ashpër...

KFOR’i nuk është çadër për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme”.

Kështu i ishte drejtuar drejtua Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ish-komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO’s në Kosovë, Gjeneral Majori italian, Angelo Michele Ristuccia duke folur për gazetën italiane “Corriere”.

Në një intervistën të tij të dytë brenda tri ditësh dhe pas plagosjes së rreth 90 ushtarëve të KFOR'it në Zveçan në fund të majit, Ristuccia i kishte mprehur tonet.

Ristuccia i pati thënë po atë ditë gazetës italiane “la Repubblica” diçka tejet të frikshme për nga tingëllima: Se po të mos ishte për intervenimin e KFOR’in atje, “do të ishim duke mbajtur zi për të vdekur”.

Rusticcia shprehej se “shmangëm një tragjedi”.

Shpjegimi i tij se pse erdhën siç erdhën gjërat: për shkak të vendimit “të dytë të njëanshëm” të qeverisë kosovare “për të përdorur forcën pa u konsultuar me ne”.

“Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse sot nuk jemi këtu për të mbajtur zi për të vdekurit në mesin e popullatës serbe apo në mesin e policëve shqiptarë etnikë, kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”, shprehej ai asokohe.

Lajme të ngjashme