“Njohja e Kosovës nga Vuçiqi”: Si ra RTK-ja pre e rrenës për 1 prill? Lajmi u fshi e rasti po hetohet
E përditësuar: Në artikull është përfshirë edhe përgjigja e Rilind Gërvallës, drejtor i televizionit në RTK, e cila përgjigje ka ardhur pas publikimit të lajmit.
1 prilli ndërkombëtarisht njihet si dita e rrenave. Megjithatë, në Radio Televizionin e Kosovës duket se është “harruar” që 1 prilli është dita e rrenave. Në portalin e RTK-së, bash në këtë datë u botua një lajm i rremë për çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia, ndërsa tash menaxhmenti po heton rastin. Çka ndodhi në RTK?
Tri ditë më parë, RTK-ja botoi një lajm me titullin “Leo Beshiri: Vuçiqi e pranon, po negociohet për njohjen e Kosovës”. Në këtë lajm citohej Nam Leo Beshiri, si drejtor i “Institutit për Çështje Evropiane”, ndërsa aty theksohej se “Vuçiq më në fund njoftoi se…po negociohet për modelin e njohjes së Kosovës”.
Lajmi ishte shkruar si tallje për ditën e rrenës, ndërsa lajmi i rremë tashmë është fshirë tërësisht nga portali. Ende se kush e ka autorizuar publikimin e lajmit të rremë, ku publiku gënjehej për një deklaratë të pathënë të Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë.

Megjithatë, menaxhmenti i lartë është duke trajtuar këtë lajm. Në një përgjigje për Nacionalen, Shkumbin Ahmetxhekajt, drejtor i përgjithshëm i RTK-së, ka theksuar se ka kërkuar trajtim të këtij rastit.
“Rasti që ju po i referoheni është duke u trajtuar. Kam kërkuar përgjegjësi ndaj stafit që e ka publikuar lajmin dhe shpejtë do të merren masat adekuate. Pas trajtimit të këtij rasti brenda RTK-së do të mund të iu ofroj më shumë detaje.” – ka theksuar Ahmetxhekajt në përgjigjen e tij.
Nacionale i ka shkruar edhe Arsim Halilit, drejtor i Radio Kosovës, që po ashtu është pjesë e RTK-së. Ai ka theksuar se lajmi nuk është autorizuar nga ana e tij, ndërsa tregoi se kjo temë është diskutuar në mbledhjen e menaxhmentit.
“Ju njoftoj se lajmi që i referoheni nuk është prodhuar nga gazetarët e Radio Kosovës. Sa i përket pyetjes se nga kush është autorizuar, mund të flas vetëm për pjesën time të përgjegjësisë si drejtor i Radio Kosovës se nuk është autorizuar nga ana ime. Kjo çështje është diskutuar dje në mbledhjen e menaxhmentit dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së është duke e trajtuar.” – ka thënë Halili për Nacionalen.
Burimet e Nacionales informojnë se lajmi me shumë gjasë është propozuar nga ana e Rilind Gërvallës, drejtorit të RTK 1, për të cilin është raportuar për afërsinë me VV-në si aktivist. Madje, këto burime raportojnë se Gërvalla ka insistuar që ky lajm të publikohet.
Megjithatë, pas publikimit të lajmit, Gërvalla ka kthyer përgjigje, duke e mohuar përfshirjen e tij në këtë lajm.
“une jam drejtor i TV-RTK-se i kanaleve televizive ne gjuhen shqipe. Une jam pjese e menaxhmentit qe nga shkurti 2023 dhe eshte genjeshter qe kjo eshte diskutuar me mua, apo ne prezencen time ne ndonje mbledhje te Menaxhmentit.
Shkrimi qe keni botuar eshte perplot shpifje dhe deklarata te paverteta, prandaj kerkoj qe ta largoni kete shkrim ku cenohet integriteti im personal dhe profesional, ne te kunderten do te nise padi nepermes organeve te drejtesise”.
Sjellim ndër mend që RTK-ja që tri vite udhëhiqet nga një menaxhment i ri, përfshrë një bord të votuar në kohën e VV-së.