Njohësit: Kosova po rrezikon humbjen e vëmendjes së miqve perëndimorë për dialogun
Qeveria e Kosovës vazhdon të ngulmojë se nuk e ka top prioritet dialogun me Serbinë, por njohësit shprehen kritik në lidhje me këto deklarata.
Këta të fundit kanë bërë me dije se në këtë mënyrë Kosova rrezikon ta humbas vëmendjen e aleatëve perëndimorë, të cilët kanë qenë sponsorët kryesor të pavarësisë.
Sipas Emir Abrashit, humbja e përkrahjes së Uashingtonit dhe Brukselit në procese të rëndësishme është e rrezikshme për Kosovën.
Njohësi i politikës së jashtme ka deklaruar për gazetën Nacionale se institucionet e Kosovës kanë qenë të paafta për të hartuar një strategji kombëtare për dialogun me Serbinë.
“Në çështjen e dialogut me Serbinë, kemi një ngecje, e që për rrjedhojë rrezikojmë ta humbasim fokusin e aleatëve tanë në Uashington e Bruksel, të cilët si asnjëherë më parë, kanë qenë unikë në rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Institucionet e Kosovës kanë qenë të paafta për të hartuar një strategji kombëtare për dialogun, e cila do të duhej të përpilohej në bashkëpunim edhe me opozitën e shoqërinë civile, që do të shërbente si udhërrëfyes për institucionet e Kosovës sa i përket prioriteteve në dialog, vijave të kuqe, por e cila në fund të ditës do t’i jepte peshë edhe më të madhe palës kosovare në tryezën e dialogut, por edhe do të na e mundësonte ta mbanim qeverinë në llogari për mbarëvajtjen e këtij procesi”, ka thënë Abrashi.
Sipas tij, Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin e administratës Biden për të arritur marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke.
“Diplomacia jonë nuk ka arritur që ta lexojë peshën e momentumit të krijuar pas ardhjes së Administratës Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë - Administratë e cila përpos që është e interesuar për njohjen reciproke, ka edhe mundësi për ta shtuar presionin mbi Serbinë, por edhe mbi BE-në për sa i përket përshpejtimit të procesit. Mirëpo, për shkak të fitimit të disa poenave politik brenda vendit, ne përsëri po dalim si palë destruktive dhe bllokuese e procesit të dialogut, ndërkaq Serbia përsëri po aminstohet. Krejt kjo sepse politikën e jashtme e kemi tejet pasive – thuajse jo-ekzistente. E nëse njërës palë i konvenon stërzgjatja e procesit të dialogut, i cili tashmë ka hyrë në vitin e 11-të që nga fillimi, ajo palë padyshim nuk është Kosova!” - ka thënë ai
Edhe drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, mendon se Kosova nuk po i shfrytëzon mundësitë që i ka në konsolidimin e subjektiviteti të saj ndërkombëtar.
Sipas tij, humbja e aleatëve për Kosovën është shumë e rrezikshme.
“Asgjë nuk mund ta rrezikoj sovranitetin dhe mundësitë për përparim të shteteve të vogla që gjenden në një rrethinë jostabile dhe marrëdhënie te tensionuara me fqinjë, se sa humbja e përkrahjes nga fuqitë e mëdha. Kjo aq më shumë vlen për Kosovën, e cila ende nuk e ka të konsoliduar plotësisht subjektivitetin e saj ndërkombëtare”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli, edhe të shtunën ka vazhduar avazin e kryeministrit Albin Kurti, se Kosova nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë.
Në një intervistë për DW, Rizvanolli ka thënë se Kosova ka probleme me të mëdha se çështja e dialogut me Serbinë.
“Sigurisht që ka aspekte që mund ta lehtësojnë jetën tonë, por dialogu me Serbinë nuk është në top-listën e problemeve tona, ose më saktë zgjidhjeve tona. Sigurisht që kemi problemin e energjisë në veri, të cilin e kemi tash e 23 vjet, e për të cilin jemi duke punuar. Presim rezultatet e dialogut në këtë aspekt. Ne si shtet i Kosovës kemi bërë maksimumin. Shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Rregullatorin e Energjisë si edhe disa ekspertë nga Kosova dhe diaspora, të cilët i kemi konsultuar gjatë këtyre negociatave, të cilët kanë qenë shumë këmbëngulës në ruajtjen e interesit të shtetit të Kosovës në mënyrë shumë konstruktive, gjë që është njohur edhe nga ana e BE-së dhe tani presim të shohim edhe sesi do të zhvillohet më tej”, ka thënë Rizvanolli.
Ditë me parë, edhe kryeministri Albin Kurti e ka pranuar se lufta në Ukrainë e ka vështirësuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ndërsa, BE-ja ende nuk ka treguar për ndonjë datë për takimin e ardhshëm në mes të kryeministri Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Kujtojmë se javën e fundit, Qeveria e Kosovës është përplasur me ambasadat e Quint-it në lidhje me mos-lejimin e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës. Po ashtu, në vizitën në Norvegji, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kritikuar nga homologu i tij norvegjez për qëndrimin e tij.