Njihuni me parashikimin e motit për tërë javen - NACIONALE

Njihuni me parashikimin e motit për tërë javen

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka disa ditë që ne vendin tonë po vazhdojnë të bien reshje të borës. Borë pritet të ketë deri në ditën e mërkurë, ani se e hëna në vend do t’i lëshojë disa rreze dielli.

Por nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bëhet e ditur se java e fundit e stinës së dimrit do të vijojë me kushte më të qëndrueshme meteorologjike.

Nga dita e mërkurë, vende-vende parashihen reshje.

Temperaturat pos ditës së hënë do të shënojnë rritje, sidomos të atyre maksimaleve. Minimalet gjatë javës do të lëvizin ndërmjet -7 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-15 gradë Celsius.

Sipas IMH, do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe jugperëndimit me shpejtësi 1-7 m/s.

Megjithëkëtë, nga Prishtina Wather, njoftojnë po ashtu për mot stabil në ditët e ardhshme.

Sipas PW, temperaturat minimale zbresin edhe deri në -10C në vendin tonë. Në Mal të Zi shënohet temperatura më e ulët për muajin mars , me -30.1°C.

Moti i ftohtë që përfshiu këto ditë rajonin tonë, në këto ditë fundjave, nën kushte të motit të kthjellët, zbriti temperaturat jashtëzakonisht në vlera të ulëta orëve të mëngjesit.

Sot minimalet edhe zbritën deri në -10°C në aeroportin e Prishtinës e Anamoravë, por edhe në -11°C nga Dukagjini e -12 në pjesë të Llapit.

Viteve të fundit janë regjistruar temperatura deri në -6°C e -8°C edhe nga fundi i marsit, por hera e fundit që ka pasur një valë të fohtit me temperatura shumë të ulëta ishte në vitin 2005, ku më 11 mars deri -13.2°C zbriti temperatura minimale në aeroportin e Prishtinës, ndërsa më 9 mars të vitit 2006 edhe ishte regjistruar temperatura më e ulët në aeroportin e Prishtinës për muajin mars prej -17.3°C.

Ndërkaq në dhjetëditëshin e tretë të marsit, temperatura prej -10°C u shënuan në vitin 2003 më 22 e 23 mars. E ishte edhe ky vit që pati ndër numrin më të madh të ditëve me ngrica 27 ditë.

Edhe në rajon këto ditë fundjave, temperaturat zbritën në vlera negative. Në Shqipëri edhe në bregdet -2°C në Durrës, -6°C në aeroportin e Tiranës si dhe në Gjirokastër, e -9°C në Korçë. Edhe në Mal të zi -1°C në Ulqin, derisa në stacionin malor në Kosanicë u regjistrua edhe temperatura më e ulët për muajin mars në Mal të Zi -30.1°C ditën e shtunë, e në një stacion tjetër automatik në afërsi të Sjenicës -27.8°C. Ngrica me temperatura prej -6 deri -10°C kishte edhe në Maqedoninë veriore, por edhe në Greqi.

Ditëve në vijim, me rrymime më të ngrohta nga Mesdheu që përfshinë rajonin, temperaturat shënojnë rritje më afër vlerave mesatare për këtë periudhë kohore.

Lajme të ngjashme