Një vit qeverisje Kurti, shumë sulme ndaj medies e gazetarëve
Janë bërë një vit prej votimit në Kuvend të Qeverisë Kurti 2 pasi që Lëvizja Vetëvendosje, si kurrë më parë, fitoi shumicën në zgjedhjet e 14 shkurtit. Mirëpo tash e një vit qeverisje, pushteti i Kurtit nuk ka arritur ta ndërtojë një raport të shëndoshë me mediat. Ndonëse Kryeministri Kurti kishte premtuar transparencë radikale, 365 ditët e para të pushtetit të tij janë përshkruar me sulme të herë pas hershme nga kabineti qeveritar e partia që ai e udhëheq. Madje nuk munguan as etiketimet e rënda për mediat si “kompani të kriminalizuara’’ duke ngjallur reagimin e AGK-së dhe gazetarëve.
Ditën e djeshme, saktësisht një ditë para se qeverisja e Vetëvendosjes të mbushte 1 vit jetë, shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, zgjodhi të merret me mediet.
Përmes një statusi në Facebook, njeriu i afërt i Kurtit njoftoi se ekzekutivi ka ndërprerë kontratat me portalet duke theksuar se një metodë e tillë “është përdorur nga qeveritë e kaluara për ta blerë heshtjen e portaleve’’.
“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjesht për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së "lajmeve’ të tyre.” – ka shkruar Dalipi, transmeton Gazeta Nacionale.
Ndaj kësaj gjuhe reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke i cilësuar deklaratat e Dalipit si ‘‘shumë të rrezikshme’’ dhe ‘‘thirrje të hapur për linqim’’
Mirëpo, deklarimi i Dalipit ishte vetëm njëra nga sulmet ndaj mediave nga zyrtarë te pushtetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në 1 vjetorin e Qeverisë Kurti, ka disa raste kur mediat u bën tabelë qitjeje.
Sulme të shumta ndaj medies
Ideologu i Vetëvendosjes, Hysamedin Feraj, nuk u kursye në gjuhën e tij kur janë në pyetje sulmet ndaj mediave apo gazetarëve. Në nëntor të vitit të kaluar, në një status në Facebook të ilustruar me fotografi të disa politikanëve dhe gazetarëve në Kosovë, Feraj kishte akuzuar disa gazetarë që ‘‘po punojnë falas’’ për Serbinë”.
‘‘Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët, jo. Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të’’, kishtë shkruar Feraj, në një status të bërë ‘‘like’’ edhe nga zyrtarë tjerë të VV-së në Shqipëri si Elvis Hoxha e Enis Sulstarova.

Ndaj kësaj gjuhe të Hysamedin Feraj kishte reaguar atëbotë AGK, të cilët e kishin dënuar, siç thuhej në reagim ‘‘gjuhën e përsëritshme linçuese të zyrtarit të Vetëvendosjes dhe ish kandidatit të kësaj partie për deputet Hysamedin Ferajt, ndaj një grupi të gazetarëve”.
Mirëpo, reagimet e AGK-së nuk është se i bëjnë shumë përshtypje profesor Ferajt, i cili me gjuhë të njejtë kishte vazhduar edhe ndaj vetë AGK-së të cilën e quajti ‘‘organizatë të rrezikshme’’.
‘‘Reagimi është se AGK është bërë vërtetë një organizatë e rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës por para të gjithave për qytetarët e saj sepse ka mbrojtur dhe vazhdon të mbrojë një propagandë linçuese që bëjnë gazetarët që ajo mbron. Dhe tani është bërë rregull që sa herë unë shkruaj, AGK e konsideron linçim të gazetarisë në Kosovës dhe nxitje të gjuhës së urrejtjes. Sa herë që AGK më qorton mua po aq herë shoqata e gazetarëve evropian e ka kritikuar AGK-në për linçim, për nxitje të gjuhës së urrejtjes.” kishte deklaruar Feraj.
Ndaj Hysamedin Ferajt kishte reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve – EFJ ku gjuhën e Ferajt e quajti ‘‘promovim të urrejtjes”.
“Është krejtësisht e papërgjegjshme të promovohet publikisht urrejtja dhe të drejtohet gishti ndaj gazetarëve në këtë mënyrë. Ne dënojmë këtë sjellje të turpshme dhe e mbështesim AGK-në dhe punën e tyre të rëndësishme që e bëjnë për gazetarët në Kosovë”, kishte shkruar EJ në Twitter.
I ashpër me media ishte edhe dikush që duket shumë më i moderuar se Feraj.
Ish-ministri i shëndetësisë Arben Vitia ishte shprehur me tone kërcënuese ndaj gazetës Insajderi pasi këta të fundit kishin publikuar një hulumtim, në të cilin thuhej se ministri i Shëndetësisë Arben Vitia kishte refuzuar të nënshkruaj kontratën me kompaninë amerikane Pfizer dhe BioNtech për t’i siguruar vaksinat.
Pas këtij publikimi, i ashpër kishte qenë reagimi i ish-ministrit i cili lajmin e Insajderit e kishte cilësuar si “të dëmshëm” dhe “dashakeq”.
“Temë e cila u provokua nga një lajm i pavërtetë, i cili po të mos ishte i dëmshëm ndoshta do të reagonim edhe të hënën apo nuk do të reagonim fare”, thoshte Vitia.
Pas kësaj deklarate, në mëngjesin e të nesërmës, zyrtarë të Policisë së Kosovës mësyen redaksinë e gazetës Insajderi ku ftuan për intervistim drejtorin e mediumit, Parim Olluri.
Për AGK-në intervistimi i Ollurit ishte tërësisht i papranueshëm dhe ka për qëllim zbulimin e burimit të tyre dhe në thelb përmban shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së mediave.
Raporti i ndërlikuar i pushtetit me gazetarët
Për raportet e pushtetit me mediat dhe gazetarët, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj në një deklaratë për Nacionale thotë se thotë se me këtë qeveri, si asnjëherë më parë mediat kanë qenë në “shënjestër” të zyrtarëve të qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Sipas Mushkolajt nuk janë kursyer fjalët më të ashpëra për denigrimin e mediave.
“Në fakt, qeveria, - kur flas qeveria po flas për institucionet e pushtetit, kanë zgjedh që mos me i ndjekë rrugët ligjore, procedurat e nevojshme për tu anku ose për të kërku të drejtën e tyre në rastet kur mediat e caktume mund të kenë shpif ose mund të kenë fy dikë, mirëpo kanë zgjedh që hesapet t’i qërojnë në mënyrë direkte duke i sulmu mediat, kryesisht në profilet e rrjeteve sociale ose nëpërmjet grupeve të caktuara në rrjete sociale të cilat e mbështesin qeverinë”, thotë Mushkolaj.
Për Mushkolajn është e habitshme heshtja e kryeministrit Kurti në raport me këtë “fenomen” të zyrtarëve të qeverisë së tij.
“Ai (kryeministri) asnjëherë nuk është se është prononcu për rastet të caktuara kur ka pa se vartës të tij, ose kushdo qoftë nga njerëz të afërt të tij i ka sulmu mediat në mënyrë shumë të vrazhdë dhe kanë bërë thirrje me i linqu gazetarët e caktum”, thotë derjtori i KMSHK-së.
Gajtë një viti qeverisje, Kurti doli pak herë në media dhe kryesisht zgjodhi televizionin publik për t’u intervistuar pa panele të analistëve kundër tij.
Për Mushkolajn, “injorimi” që Kurti ua bën mediave është një mesazh i gabuar që e dërgon jo vetëm te mediat e gazetarët, por edhe te publiku.
“Nuk i pranon debatet me idenë mbase se konsideron se nuk nevojë që të ballafaqohet me ata që mendojnë ndryshe, dhe me këtë logjikë pastaj po funksionojnë edhe zyrtarët e tjerë, të cilët, sikur tek gazetarët, opinionistët e mediat ne përgjithësi, po i shohin si armiq të tyre e nuk po shohin partnerë qysh rëndomë do të duhej të ishte një marrëdhënie logjike ku qeveria e instiucionet e kryejnë punën e tyre dhe mediat janë aty për të raportu, dhe natyrisht për të pasë çasje kritike ndaj ndodhive ose fenomeneve që konsiderojnë që nuk po shkojnë si duhet, ose vendimeve të tilla që i merr qeveria”, thotë Mushkolaj.
Kujtojmë që përveç Qeverisë Kurti, gjuhë denigruese ndaj mediave e gazetarvëve përdori edhe Prindon Sadriu, burri i presidentes Vjosa Osmani, duke i quajtur pushtin e katërt si "organizatë e përbashëkt kriminale".