Një varr pas 23-vjetësh
Pas 23-vitesh si të zhdukur, trupat e shtatë kosovarëve të vrarë në vitin 1999 nga forcat serbe në Masakrën e Krushës së Vogël, u rivarrosën të shtunën në Kompleksin e Martirëve të këtij fshati. Masakrimi i këtyre personave e shumë të tjerëve që ende figurojnë si të zhdukur ndodhi vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, më 25 mars të vitit 1999.
Nacionale ju sjellë rrëfimin e gruas që për 23 vite nuk ndaloi së kërkuari eshtrat e babait të saj.
Përveç tingujve të dhjetëra hapave në shkallët prej hekuri, nuk dëgjohet askush tjetër. Janë dhjetëra persona që po ngjiten shkallëve që çojnë në sallën brenda ambienteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore(IML) në Prishtinë.
Në IML, këta persona do t’i takojnë eshtrat e familjarëve të tyre të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Qoftë edhe një pjesë e vetme mortore i mjafton një familjeje për të marrë rrugë drejt IML-së duke zbuluar kështu një pjesë të të afërmve që i kanë të zhdukur tash e 23-vjet.
Rrugë nga Krusha e Vogël drejtë Prishtinës, kishte marrë të premten edhe Azemine Rexhepi. Ajo për herë të parë pas 23-vitesh thotë se po merr frymë lirshëm.

Në një bisedë për Nacionalen kjo grua ka rrëfyer për vitet plotë stres në kërkim të eshtrave të babait.
“Erdha me e marrë babën. Ah baba, sa shumë plagë e dhembje kam në shpirt. Por, sot jam qetsu pak, sepse ma në fund do ta kem një varrë ku të shkoj e ta di që është aty”, thotë ajo.
Por, ajo shprehet e zhgënjyer me punën që është bërë për të zbuluar se ku kanë qenë deri sot këto eshtra.
“Fshati i babait tim ka qenë i vogël, gjysma serbë e gjysma shqiptarë kanë qenë. Serbët kanë qenë aty me forcat serbe. Ata e kanë ditë krejt se qysh janë vra. Që 23 vite mos me tregu ata se qysh ka ndodhë rasti është e dhimbshme. Një serb me e pasë marrë, ai kish tregu se qysh ka ndodhë rasti. Qe 23 vite kemi qenë nën ankth. Baba jem ka qene civil, vllaznit, nipat, krejt civil kanë qenë. Asnjë shkop në dorë se kanë pas. Dy javë para luftës e pata taku unë babën tim”, thotë Azeminja, e cila përveç babit, të vrarë nga forcat serbe i ka dhe katër vëllezër, katër nipa si dhe djalin e axhës.

Ndërkohë nga Instituti I Mjekësisë Ligjore për Nacionale kanë sqaruar se nga aspekti mjeko-ligjor, këto raste konsiderohen si të mbyllura.
Por, Naim Uka, mjek ligjor, thekson se në aspektin procedural, këto raste ende s’janë mbyllur.
"Bëhet fjalë për shtatë individ të identifikuar përmes procedurave mjeko-ligjore. I kanë kaluar të gjitha procedurat e identifikimit. Tash janë në procedurat e pranim-dorëzimit të trupave. Nga aspekti mjeko-ligjor ne i konsiderojmë këto raste si raste të mbyllura. Shtatë raste të mbyllura, por në aspektin procedural asesi nuk mund të konsiderojmë të mbyllur lokacionin ku janë gjetur ata. Ne do të vazhdojmë punën aty ku kemi qoftë edhe një informacion për të gjurmuar", thotë Uka për Nacionale.

E më 24 mars, ushtria dhe policia e ish-Jugosllavisë rrethuan fshatin Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, ku pas granatimeve policia dhe ushtria filluan djegien dhe plaçkitjen e shtëpive të shqiptarëve të Kosovës, i largoi të gjitha veturat private dhe kështu bëri që shumë fshatarë të fshihen nëpër bodrumet e nëndheshme, apo vende të tjera më të sigurta. Më 25 mars deri më 27 mars, ushtria serbe kreu masakrën mbi fshatarët, duke lënë kështu të vrarë 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore të djegura.
Sot e kësaj ditë, 63 nga viktimat e kësaj masakre janë ende të zhdukur.
Banorët e fshatit Krushë e Madhe në shenjë përkujtimi i kanë hapur varret për të gjithë të pagjeturit, por këto varre vazhdojnë të jenë të zbrazëta.
Në përkujtim të 241 të vrarëve, janë mbjellë po aq fidanë të pishës në vendin ku supozohet se disa prej tyre u pushkatuan. Po ashtu, po bëhen gati edhe fotografitë e secilit prej 241 të rënëve për t’u vendosur në një mur afër varrezave të dëshmorëve./Nacionale/
Autore: Gentiana Hasani; fotograf: Valdrin Xhemaj