E pabesueshme: Pamjet e dronit tregojnë se si një civil i shpëtoi predhës 30-milimetërshe të Rusisë
Një ushtar rus, i cili dyshohet se kishte qëlluar një civil ukrainas në një sulm që është incizuar me kamerën e një droni ukrainas, po akuzohet për krime lufte në mungesë nga policia ukrainase.
Në dosjen e dëshmive kundër tij përfshihen bisedat telefonike mes ushtarit dhe bashkëshortes së tij, që janë kapur gjatë hetimit të gjatë për sulmin e forcave ruse afër qytetit Izium në qershorin e vitit të kaluar, raporton televizioni CNN.
Biseda u nda ekskluzivisht nga policia për televizionin CNN para një konference për gazetarë të martën në Kharkiv për ta njoftuar ngritjen e aktakuzës.
Policia e ka identifikuar ushtarin si Klim Kerzhaev, komandant 25-vjeçar nga Moska. Ai akuzohet për vrasje në tentativë të një civili, krim lufte sipas nenit 438 të Kodit Penal të Ukrainës.
Për t'i shikuar pamjet, klikoni KËTU. (Nuk rekomandohen për personat e ndjeshëm.)
Sulmi është incizuar nga ushtarët ukrainas përmes dronit. Ata kishin nisur një mision të jashtëzakonshëm shpëtimi, duke vendosur një copë letre me fjalët “eja pas meje” në një dron të vogël, duke iu drejtuar bashkëshortes së burrit të plagosur, e cila ndodhej në veturë me të. Për këtë ngjarje është bërë një film dokumentar nga regjisori ukrainas, Lyubomyr Levytsky.
Shefi i hetimeve në policinë e Kharkivit, Serhii Bolvinov, tha se përpos pamjeve nga droni, në hetim përfshihen edhe ekzaminimet e forenzikës në veturën e sulmuar dhe në vendin e ngjarjes, që janë kryer pas çlirimit të Iziumit në shtator, bashkë me dëshmitë e grumbulluara nga forcat kibernetike të policisë, të cilat i kanë vëzhguar llogaritë e ushtarit rus në rrjete sociale dhe bisedat e tij telefonike.
Në bisedën telefonike, ushtari rus dëgjihet duke i thënë gruas së tij se ka vrarë një burrë, duke e qëlluar me automjetin e blinduar ushtarak me predha 30-milimetërshe, BMP.
Verën e kaluar, çifti i martuar, Andrii Bohomaz dhe Valeria Ponomarova, ishin duke shkuar në Izium me veturë për t’u ndihmuar prindërve të sëmurë të Andrisë që të largoheshin nga qyteti i kontrolluar nga rusët.
Megjithatë, vetura po lëvizte nëpër një rrugë të rrezikshme drejt vijës së fronit, ku ishin të pozicionuar trupat ruse, dhe automjeti u godit me plumba.
Ushtarët ukrainas e kishin parë incidentin nga largësia përmes një droni për zbulim, të cilin e kishin dërguar më afër vendit të ngjarjes për të siguruar pamje të jashtëzakonshme të sulmit.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli