Një senator zviceran i del në mbështetje Kurtit: “BE nuk po e kupton mjaftueshëm”
“Parimet e (Kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit nuk po kuptohen mjaftueshëm”, ka thënë senatori zviceran, Carlo Sommaruga, në një intervistë për RTK-në, teksa ka shtuar se për këtë “kuptueshmëri më të madhe” ai angazhohet të tregojë në Zvicer.
Sommaruga kritikoi Bashkimin Evropian se “nuk po kanë qasje të njëjtë” duke krahasuar mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës me atë të integritetit territorial të Kosovës, ku sipas tij, po interferon Serbia.
“Dhe kjo është ajo çfarë ne e mbështesim dhe ne mendojmë se këto parime të Kurtit nuk po kuptohen mjaftueshëm në qarqet e Bashkimit Evropian, për këto gjëra po flas unë edhe në Zvicër”, ka thënë ai.
“Diçka që nuk e kuptoj në BE është se si integriteti i Ukrainës duhet të mbrohet, e ndërsa influenca e Serbisë në Kosovë nuk trajtohet me të njëjtën qasje. Pra shohim këtu dy qasje të ndryshme politike për të njëjtin problem. Mendoj se nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën, por i tërë Ballkani rrezikon nga ndikimi rus”, ka thënë politikani zviceran.