Një burrë në ShBA vret ish-bashkëshorten dhe pesë persona të tjerë
Një burrë i armatosur me tri armë ka qëlluar për vdekje ish-bashkëshorten e tij dhe pesë persona të tjerë në një qytezë të vogël në Misisipi të Shteteve të Bashkuara, ka njoftuar policia amerikane.
Viktimat u vranë në disa vende, përfshirë një dyqan dhe dy shtëpi në Arkabutla, komunitet me më pak se 300 banorë, raporton televizioni BBC.
Policia ka akuzuar një burrë 52-vjeçar për vrasje të shkallës së parë dhe është duke e mbajtur në ndalim. Ende nuk dihet motivi i sulmuesit të dyshuar. Guvernatori i Misisipit, Tate Reeves, tha se besohet që i dyshuari të ketë vepruar i vetëm.
Sulmi filloi, kur personi i armatosur hyri në një dyqan rreth orës 11 sipas kohës lokale dhe qëlloi një burrë me të cilin nuk kishte ndonjë lidhje të qartë, tha komandanti i policisë, Brad Lance.
Pastaj, i armatosuri shkoi në një shtëpi, ku e qëlloi ish-bashkëshorten dhe e përpoq që ta qëllonte të fejuarin e saj.
Hetuesit thonë se i armatosuri pastaj shkoi me veturë te një shtëpi pranë shtëpisë së tij dhe qëlloi për vdekje një burrë që mund të ketë qenë njerku i tij, si dhe një grua të paidentifikuar.
Pastaj qëlloi dy persona të tjerë, njërin brenda një veture e tjetrin në rrugë, jo larg shtëpisë së tij. Komandanti i policisë tha se duket që dy viktimat e fundit ishin punëtorë ndërtimtarie në një vendpunishte.
Policët e patë të dyshuarin brenda një automjeti dhe dukej që përputhje me përshkrimet e dëshmitarëve. Ata arritën që ta ndalonin të dyshuarin afër shtëpisë së tij pas një ndjekjeje të shkurtër me vetura.
“Nuk kemi shumë krime të dhunshme këtu. Kjo është shokuese. Kurrë nuk kam ëndërruar se do të ballafaqohemi me diçka si kjo këtu”- tha komandanti i policisë.