Nisma për shkarkimin e kryetarëve në veri, ambasadorët paralajmërojnë “zhgënjim të madh” në rast të zvarritjes së procesit
Për herë të parë që nga pavarësia e vendit, me një numër të vogël votuesish e me shumë tensione, katër komunat veriore me shumicë serbe, kaluan nën drejtimin e kryetarëve shqiptarë. Që nga ajo kohë serbët lokalë kishin kundërshtuar kryetarët e rinj. Pa u mbushur një vit, ata filluan peticionin për shkakrimin e kryetarëve. Për këtë çështje ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë paralajmëruan “dëshpërim të madh”, në rast se do të ketë vonesa në proces.
Largimi i kryetarëve në komuant veriore – i përcaktuar që ta mbahet përmes peticionit – ishte temë diskutimi nga ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, Jorn Rohde dhe Olivier Guerot, në një intervistë të përbashkët në "Five" në RTV Duakgjini. Ata, ndonëse u shprehen optimist për atë që po ndodh, lëshuan edhe disa paralajmërime.
Duke komentuar nismën, Rohde tha se ajo që po bëjnë serbë lokalë “është një gjë pozitive” sepse “ata dëshirojnë ta mbarojnë këtë proces”.
Megjithatë, Rohde u shpreh se “do të jetë një dëshpërim i madh nëse ky proces ngec.”
“Ne dëshirojmë rezultat nga e gjithë kjo sepse kryetarët kanë marrë 2-3 për qind të votave dhe të gjithë ne bëjmë thirrje Serbisë që t’i ftojnë serbët e Kosovës, të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në proces sepse ne dëshirojmë integrim dhe jo konfrontim. Deri më tani duket që po shkon mirë”, tha Rohde më tej.
I të njëjtit mendim ishte edhe ambasadori Guerot, i cili ndër të tjera tha se do të ishte dëshpëruese nëse procesi nuk vazhdon për çfarëdo arsye.
“Nëse ky proces nuk mund të vazhdojë për çfarëdo arsye, do të jetë dëshpëruese për shumë. Është procesi që është vendosur brenda institucioneve të Kosovës dhe nuk është përdorur nga serbët e Kosovës dhe nuk do të kuptojmë nëse ngec”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se janë në pritje të rrjedhës së procesit, duke kujtuar deklaratën e 3 qershorit të Bashkimit Evropian.
“Ne jemi duke pritur rezultate për këtë çështje, deklarata e BE-së më 3 qershor ka dhënë disa kushte për destabilizim, çka ne duam janë rezultatet, janë dy mënyra. E para, dorëheqja e kryetarëve, mënyrë e lehtë por të gjithë nuk janë të gatshëm dhe e dyta, peticioni është zhvillim pozitiv, serbët e Kosovës janë duke përdorur kanalin që është vendosur brenda institucioneve të Kosovës dhe kjo është e mrekullueshme sesa të bojkotojnë.” – tha ai.