Nis takimi i “pesëshes” me Kurtin - NACIONALE

Nis takimi i “pesëshes” me Kurtin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka nisur takimi i “pesëshes së madhe” diplomatike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Takimi ka nisur që nga ora 10:00, dhe të pranishëm bashkërisht me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë edhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të krerëve të shtetit gjerman, francez dhe italian.

Në këtë takim “pësëshja” pritet të adresojë para Kurtit çështjen e shpalljes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe – çështje kjo në të cilën qeveria ka rezistuar duke hartuar një Udhëzim Administrativ që për shumë kënd është veçse prolongim i mbajtjes së zgjedhjeve – si dhe kërkesën për nisjen e themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; gjë që Kurti e refuzon ta vendos para zbatimit të pjesës së palës serbe për të njohur “de facto” Kosovën sipas Marrëveshjes Bazike.

Raportohet gjithashtu nga mediat – ndonëse ende nuk është konfirmuar një gjë e tillë – se diplomatët perëndimor do t’i paraqesin Kurtit edhe një draft-Statut për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe.

Mediumi serb "KoSSeV" ka raportuar përmes burimeve diplomatike se në Beograd diplomatët do të kërkojnë nga Vuçiq që "të dënojë në mënyrë të paekuibokë" sulmin paramilitar serb në Banjskë si dhe të bashkëpunojnë plotësisht në zbardhjen dhe qartësimin e prapavisë së atij sulmi.

Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, raporton se edhe pesë ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë kanë hyrë në ndërtesën qeveritare dhe janë larguar në një kohë fare të shkurtër.

Nuk dihet ende nëse pas takimit do të ketë deklarim për media nga diplomatët; të cilët në ora 14:00 shkojnë në Beograd për të nisur takimin me Presidentin e Serbiës, Aleksandar Vuçiq.

Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Jeton Zulfaj, mbrëmë në KTV ka thënë se nuk kanë informacione mbi arsyet e vizitës së diplomatëve, ndërsa Kurti ka thënë se do ta kuptojnë sot se "çka kërkojnë" por ka shtuar se "nuk mund të ketë dialog pa siguri për Kosovën dhe sanksionim të Serbisë".

Lajmi në përditësim...

Lajme të ngjashme