Nis takimi i kryeministrit Kurti me kancelarin e Gjermanisë - NACIONALE

Nis takimi i kryeministrit Kurti me kancelarin e Gjermanisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kancelarit të Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Kurti dhe Scholz, sipas njoftimit nga zyra e kancelarit, do të flasin mbi zhvillimet e mëtejshme për statusin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës që lidhet ngushtë me ofrimin e këtij vendi me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Pos Kurtit, kancelari gjerman pret edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, veçse ndaras. Si me Kurtin, ashtu dhe me Vuçiqin, kancelari gjerman do të dalë në konferencë për media. Ende nuk dihet nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet kokë me kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por ajo që dihet deri më tani është se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak do të jetë prezent në Berlin.

Zyra e Shtypit dhe Informacionit e Qeverisë Federale gjermane ka njoftuar se në këto takime fokusi i diskutimit të përbashkët do të jetë koordinimi i mëtejshëm mbi luftën dhe agresioni rus kundër Ukrainës, si dhe për çështjet dypalëshe dhe rajonale.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë i pranishëm në kwto takime.

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin, më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin, e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

BE-ja prej kohesh ka bërë përpjekje për një takim të ri në mes të kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq, por deri e tani nuk ka pasur sukses.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të parë janë takuar më 15 qershor të vitit 2021 në Bruksel.

Ndërsa, takimin e dytë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes tyre ka ndodhur më 7 korrik 2021.

Javën e kaluar, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen seriozisht në dialogun e Brukselit.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo gjatë një konference për medie në Prishtinë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se dialogu teknik për çështjen e targave të automjeteve në Bruksel do të vazhdojë më 13 maj.

Lajmi do të përditësohet...

Lajme të ngjashme