Fillon evidentimi i dëmeve nga breshëri, kërkohet mbështetje urgjente nga Qeveria për fermerët
Reshjet e fundit të breshëritë në Kosovë kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa kultura bujqësore. Komuna më e prekur nga këto reshje është ajo e Istogut, ndërsa më pak janë prekur komuna e Skenderajt, Suharekës dhe disa komuna tjera. Si pasojë e këtyre reshjeve janë dëmtuar një numër i madh i serave dhe dhjetëra hektarë me bostan, spec e misër.
Komunat e prekur kanë filluar evidentimin e dëmeve, kurse i është bërë thirrje qeverisë për mbështetej urgjente për fermerët.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kërkuar reagim urgjent për dëmet e shkaktuara në bujqësi nga breshëri.
Duke shprehur shqetësimet për dëmet e mëdha të shkaktuara në sektorin e bujqësisë, LBK ka treguar për pasoja e reshjeve të breshrit.
“Bujqësia është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës dhe çdo dëm i shkaktuar në këtë sektor kërkon reagim të shpejtë dhe konkret nga institucionet. Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga kryetarët e komunave dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të angazhohen në terren për vlerësimin e dëmeve, të krijojnë komisione profesionale për evidentimin e pasojave dhe të ndërmarrin masa konkrete për mbështetjen financiare të fermerëve të prekur”, është thënë në reagimin e LBK-së, duke dhënë detaje tjera.
“Në këto momente, fermerët nuk kanë nevojë për deklarata politike, fotografi në terren apo garë mediatike se kush po shfaqet më shumë para kamerave. Ata kanë nevojë për mbështetje reale, kompensim të dëmeve dhe veprime konkrete institucionale. Institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi duke i ndarë mjetet e nevojshme dhe duke u dalë në ndihmë atyre që kanë humbur mundin dhe investimet e tyre të një viti të tërë”, është thënë në reagim.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka treguar se menjëherë janë duke i ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara nga reshjet e breshrit.
“Së bashku me komisionin komunal diskutuam për hapat e radhës drejt mbështetjes që mund t’u ofrojmë fermerëve tanë. Si rezultat, komisionet janë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe vlerësimi komunal i dëmeve do të përfundojë në afat rekord prej 7 ditësh kalendarike. Gjatë vizitave në terren, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, pamë nga afër pasojat që breshri kishte lënë në tokat e punuara dhe në frytin që ishte gati për vjelje, por që tashmë ishte shkatërruar pothuajse tërësisht”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, duke treguar kërkesat e tij ndaj Qeverisë.
“Nga ministri Muja kërkova që urgjentisht të veprojë në drejtim të kompensimit të dëmeve, në mënyrë që fermerët tanë të marrin mbështetjen e nevojshme sa më parë. Bashkë rimëkëmbemi, sepse puna nuk ndalet asnjëherë. Falë fermerëve tanë, as fatkeqësi të tilla nuk e ndalin përkushtimin për tokën”, ka theksuar ai.
Edhe Komuna e Skenderajt ka filluar evidentimin e dëmeve.
Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Skenderajt ka njoftuar se ka nisur evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga breshëri që ka goditur këtë komunë.
Sipas njoftimit, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sabit Ferizi, së bashku me zyrtarët e drejtorisë, ka zhvilluar vizita në terren për të parë nga afër gjendjen në zonat e prekura.
“Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sabit Ferizi, së bashku me zyrtarët e drejtorisë, ka zhvilluar vizita në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga moti i pafavorshëm dhe breshëri që goditi komunën një ditë më parë”, është thënë në njoftim.
Vizitat janë zhvilluar në fshatrat Vajnik, Burojë, Likoc dhe Izbicë, ku, sipas Drejtorisë, janë evidentuar dëme të konsiderueshme në kulturat e drithërave, pemëve dhe perimeve.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, dje ka vizituar fermerët e prekur nga breshëri në Komunën e Istogut, ku është njoftuar nga afër me dëmet në kulturat bujqësore.
Gjatë vizitës, ministri Muja ka theksuar se hapi i parë institucional është vlerësimi profesional i dëmeve nga Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, në përputhje me procedurat ligjore, duke përshëndetur faktin që ky komision tashmë është themeluar nga Komuna e Istogut.