Ngritja e një shteti të ri të “start up”-eve
Në zemër të Evropës Juglindore, shteti i ri i Kosovës vazhdon që të lulëzojë, si testament i frymës së paepur të popullit të vet dhe – me rëndësi – i 25 vjetëve të mbështetjes amerikane. Në shumë mënyra, Kosova qëndron si rasti më i suksesshëm i përpjekjeve shtetndërtuese të udhëhequra nga Amerika që nga Lufta Koreane – një demokraci kumbuese me ekonomi të tregut të lirë, me sundim të ligjit që po fuqizohet, me media të pavarura dhe me një popullsi të palëkundur pro-perëndimore, e etur për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Pa dyshim, Kosova ende ballafaqohet me shumë sfida – papunësia e lartë, korrupsioni dhe një rrezik gjithnjë në shfaqje i sigurisë nga Serbia fqinje. Megjithatë, në krahasim me sfidat me të cilat ballafaqohen Haiti, Afganistani, Iraku dhe Libia – raste të tjera të shtetndërtimit – Kosova dallohet si demokracia më e konsoliduar. Gjëja më interesante ndoshta është që 25 vjet pas çlirimit, Kosova po del në shesh si vend “start up”-eve të teknologjisë – burim i fuqishëm i talenteve për teknologji, fabrikë aktive e softuerëve që bëjnë konkurrencë për nga kostoja dhe cilësia dhe zbatuese e hershme e inteligjencës artificiale (AI). Gjatë dy vizitave në Kosovë, më 2023 e 2024, ne e pamë vetë këtë transformim. Ç’është me rëndësi, pamë se ky rrëfim suksesi kishte dy përbërës jetikë: i pari, të rinjtë të harmonizuar mirë me zhvillimet kyçe teknologjike në ShBA dhe, i dyti, përkrahja e hershme dhe e qëndrueshme nga qeveria amerikane. Këto dinamika binjake jo vetëm që po e ndihmojnë përforcimin e konsolidimit demokratik të Kosovës, por gjithashtu ofrojnë pamje të rëndësishme për atë se si do të mund të dukej një program efikas i asistencës së jashtme nga ShBA-ja, sidomos pasi teknologjia dhe inovacioni po bëhen fushëbeteja e konkurrencës mes demokracive dhe autokracive.
Një histori e shkurtër
Për ata që mund të mos e kenë shumë të njohur gjeografinë e Evropës Juglindore, Kosova shtrihet në largësi të barabartë mes Romës e Stambollit, rreth 90 minuta fluturim me aeroplan nga secila prej këtyre qendrave. Gjeografia e saj ka qenë fat i saj. Ka vuajtur pothuajse gjatë secilës ideologji ekspansioniste – Perandoria Romake, emigrimi i shpejtë i sllavëve nga Rusia e stome, islamizimi nga Perandoria Romake, pushtimi fashist, brutaliteti i komunizmit dhe, në fund të viteve të 90-a, spastrimi etnik i kryer nga diktatori i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Kjo histori traumatike përfundimisht mori fund më 1999, kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën një ndërhyrje diplomatike, dislokuan një forcë paqeruajtëse dhe – bashkë me aleatë evropianë – e drejtuan Kosovën nga pavarësia më 2008. Fuqia ushtarake amerikane ka qenë jetike, por njësoj ka qenë edhe ndihma për zhvillim. Gjatë tërë çerekshekullit të kaluar, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës mbi 2 miliardë dollarë për ta ushqyer demokracinë, për t’i ndërtuar institucionet e saj, për ta fuqizuar shoqërinë civile të saj, për ta përmirësuar sundimin e ligjit, për ta zhvilluar ekonominë dhe për t’i kultivuar mediat e pavarura. Zemërgjerësia e Amerikës nuk ka shkuar dëm; përpos përparimit të saj demokratik, anketë pas ankete e paraqesin Kosovën si shtetin më pro-amerikan në botë dhe qeveritë njëra pas tjetrës e kanë rreshtuar politikën e tyre të jashtme me atë të Shteteve të Bashkuara.
Nga një vend i goditur nga lufta në një vend të “start up”-eve: Ngritja e ndërmarrësisë teknologjike
Viteve të fundit, përparimi i Kosovës ka bërë një kthesë interesante. Kosova ka filluar të dalë në shesh si gjeneratore e teknologjisë në një rajon që ende ngec prapa një pjese të madhe të Evropës rreth treguesve kyçë të zhvillimit. Në palcë të këtij revolucioni teknologjik ndodhet pasuria më e madhe e Kosovës – fuqia punëtore e re dhe ambicioze. Të lindur në trazira dhe pas pasojave të një konflikti, ata janë të prirë për të shfaqur një uri ekzistenciale për mundësi e përparim dhe kanë lëvizur shpejt për të gituar njohuri e për të zhvilluar shkathtësi për zhvillimin e softuerëve, marketingun digjital, multimedian dhe shërbimet për teknologji të informacionit. Sipas platformës për inteligjencë biznesore, “Data4X”, teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe shërbimet mbështetëse të ndërlidhura me të e përjetuan rritjen më të madhe në të hyra nga të gjithë sektorët e ekonomisë së Kosovës në çerekun e parë të vitit 2024 dhe pritej që ta mbanin këtë pozitë udhëheqëse gjatë pjesës tjetër të vitit. Vitin e kaluar, sipas “Data4X”, kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit gjeneruan mbi 730 milionë dollarë të hyra, trend që ka vazhduar gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit punëson rreth 15 mijë individë, nga të cilët 5 mijë janë inxhinierë softuerikë, dhe ka gjeneruar 168 milionë dollarë në eksporte, duke përfshirë të gjitha qendrat e thirrjeve, në gjysmën e parë të vitit 2024, ose 14 për qind më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2023. Diaspora e Kosovës gjithashtu ka luajtur një rol në përshpejtimin e arritjes së kësaj mirëqenieje. Përderisa valë të njëpasnjëshme të kosovarëve ishin shpërngulur në Evropë dhe ShBA gjatë tërë të nëntëdhjetave, ata i ndoqën mundësitë arsimore e profesionale dhe disa prej tyre ashmë po kthehen në atdhe ose po investojnë nga jashtë. Ky fitim i kapitalit dhe i trurit e ka përshpejtuar integrimin e Kosovës në ekoistemin ndërkombëtar të teknologjisë, duke ndërtuar një urë mes talentit lokal dhe trendeve globale të ekonomisë e teknologjisë.
Në dy vizita në Kosovë, e para në qershor të vitit 2023 dhe e dyta në fund të korrikut të vitit 2024, ekipi ynë i SCSP-së e pa vetë këtë përparim teknologjik dhe pas hapave të qeverisë amerikane, synoi që në mënyrë modeste ta përkrahte hapin e ardhshëm teknologjik – drejt inteligjencës artificiale. Më herët këtë pranverë, SCSP-ja i ofroi financim me grant Institutit Rochester të Teknologjisë në Kosovë për të nisur një kurs për rolin e inteligjencës artificiale në sigurinë kombëtare. RIT-Kosovo, që fillimisht kishte nisur si Universiteti Amerikan në Kosovë me financim nga biznesmenë kosovarë dhe trajnime rigoroze parauniversitare e universitare në Kosovë. Programi i inteligjencës artificiale, i pari në rajon, iu dha studentëve ambiciozë kosovarë dhe ndërkombëtarë një mundësi për ta eksploruar lidhjen mes teknologjive në zhvillim dhe sigurisë kombëtare – njohuri që mund të dëshmohet si thelbësore, përderisa ata bëhen gjenerata e ardhshme e udhëheqësve.

Gjatë vizitës sonë, ekipi e vizitoi Qendrën Kosovare të Inovacionit (ICK), e cila më herët këtë pranverë e organizoi kampin e parë dinamit të inteligjencës artificiale, duke tërhequr ndërmarrës të rinj nga mbarë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kjo nismë rajonale lidhi inovatorë që po lulëzojnë me burimet dhe mentorimin që nevojiten për t’i transformuar idetë e tyre rreth inteligjencës artificiale në zbatime praktike. Për më shumë se 12 vjet, ICK-ja ka luajtur rol instrumental inkubues për shumë “start up”-e në Kosovë. Ajo strehon mesatarisht 50 mijë zhvillues dhe entuziastë të teknologjisë në vit, duke u ofruar hapësirë, mentorim dhe rrugë drejt kapitalit për t’i hapur kompanitë e tyre. Agjencitë amerikane dhe evropiane të ndihmave e kanë pasur largpamësinë e tyre të pabesueshme për të ofruar financim për themelim dhe përkrahje operacionale për këtë organizatë jofitimprurëse që nga ekzistenca e saj.
Dy nisma të tjera që ne i vizituam dhe që e ilustrojnë potencialin transformues të teknologjisë dhe asistencës së huaj ishin “Bonevet” dhe “Prishtina Hackerspace”. Të dyja janë organizata inovative të përqendruara në teknologji që e ilustrojnë fokusin në rritje të vendit te teknologjia dhe ndërmarrësia. “Bonevet” është themeluar nga një ndërmarrës kosovar, Vllaznim Xhiha, i cili pas një karriere të suksesshme në teknologjinë e informacionit në Zvicër vendosi që të kthehej në Kosovë dhe të themelonte një institucion arsimor që i inkurajon fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit për t’i zhvilluar talentet dhe shkathtësitë, kryesisht përmes edukimit STEM. Përmes fondeve të tij dhe ndihmës së huaj, përfshirë atë nga ambasada amerikane, z. Xhiha tashmë e ka zgjeruar “Bonevet”-in në gjashtë qendra rajonale në mbarë Kosovën. Ajo ofron përvoja të mësimit praktik në robotikë, kodim, printim 3D dhe shumë më shumë. Qasja e tyre i kombinon shkathtësitë praktike me kreativitetin, duke ndihmuar në rritjen e gjeneratës së ardhshme të talentit teknologjik të Kosovës. “Prishtina Hackerspace”, në anën tjetër, është hapësirë pune e përbashkët, e drejtuar nga komuniteti, që i bën bashkë entuziastët e teknologjisë. Ajo ofron mjedis bashkëpunues ku anëtarët mund të punojnë në projekte, të shkëmbejnë njohuri dhe ide dhe të kenë qasje në vegla dhe pajisje. “Prishtina Hackerspace” dhe organizata e saj amë, FLOSSK, vitin e kaluar në Kosovë organizuan një tubim ndërkombëtar të rreth 683 profesionistëve, akademikëve dhe entuziastëve nga komuniteti global gjeohapësinor i burimeve të hapura.
Në fund, një fushë tjetër në të cilën zgjuarsia e brendshme teknologjike po e ndihmon konsolidimin demokratik të Kosovës është në fushën e mediave. Pavarësisht nga sfidat e vazhdueshme që dalin nga mospasja e një domeni të internetit, katër mediume që po lulëzojnë dhe që ne i vizituam – Nacionale, Klan Kosova, UrbanFM dhe Glam Radio – dëshmuan një model të ri operimi që pa vështirësi e integron internetin me radion dhe televizionin në një trup të vetëm dhe që e shfrytëzon potencialin e mediave sociale për angazhimin e audiencës. Me staf relativisht të vogël, modeli i tyre multimedial gjeneron nivele të jashtëzakonshme të angazhimit të audiencës – shpesh duke arritur një milion shikues për segment, ose gjysmën e popullsisë së Kosovës. Ky model integrues po u mundëson këtyre mediumeve që të gjenerojnë të hyra nga një rrjet i shpërndarë i përdoruesve dhe reklamuesve, duke i bërë ato gjithnjë më të pavarura nga vendosja tradicionale e reklamave që shpesh ishin subjekt i ndikimit qeveritar.
Përtej Kosovës
Ne e kemi vënë në pah përparimin e fuqizuar nga teknologjia të Kosovës këtu jo vetëm pse ajo është rrëfim frymëzues i avancimit demokratik vetëm 25 vjet pas një lufte shkatërruese, por gjithashtu për shkak se ofron disa perspektiva unike mbi potencialin transformues të fuqisë inovative dhe si Shtetet e Bashkuara do të mund ta shfrytëzonin asistencën e huaj në teknologji në konkurrencën kundër një boshti të ri të penguesve autoritarë – Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut.
Së pari, fuqia e teknologjisë dhe inovacionit janë në mënyrë themelore duke e ridrejtuar gjeopolitikën. Vendet që do të ngadhënjejnë në dekadat e ardhshme do të jenë ato që mund ta shfrytëzojnë fuqinë e inovacionit, t’i ndërtojnë ekonomitë e tyre rreth teknologjive të reja, sidomos inteligjencës artificiale, dhe të kultivojnë fuqi punëtore me zgjuarsi teknologjike. Shtetet që nuk e bëjnë këtë, do të ngecin, do të fillojnë që t’i humbin ndikimin dhe rëndësinë dhe do të mbeten prapa. Pa dyshim, fuqia ushtarake, diplomatike dhe ekonomike përsëri do të kenë peshë, por fuqia e tyre do të jetë e varur nga fuqia inovative e një vendi.
Së dyti, teknologjia nuk është vetëm fushëbeteja e konkurrencës mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, por gjithashtu mjet i konkurrencës mes demokracive dhe autokracive. Kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i ndajnë mes vete avancimet e tyre teknologjike, ato qëndrojnë jo vetëm para partneriteteve të mbyllura ekonomike, por gjithashtu i mbërthejnë ato vende në botën demokratike. Alternativa është që ato vende të lëvizin drejt boshtit që përdorimin e teknologjisë e bën prioritet për vëzhgim, shtypje dhe kontroll.
Së treti, asistenca e huaj e Amerikës historikisht është përqendruar në zbutjen e varfërisë, promovimin e zhvillimit ekonomik dhe ndërtimin e qeverisjes së mirë. Megjithatë, përderisa teknologjia e merr skenën qendrore të gjeopolitikës, kjo ia jep të drejtën Qeverisë së ShBA-së që ta ridestinojë asistencën e jashtme dhe të përqendrohet më shumë në asistencën e huaj në teknologji.
Dhe, në fund, ne duhet që në mënyrë thelbësore të riimagjinojmë se si duket partneriteti publiko-privat i Amerikës jashtë vendit. Për të gjitha sukseset e saj deri më tani, Kosova ende është duke u përpjekur që të ndërtojë ura me kompani të mëdha teknologjike në Shtete të Bashkuara dhe të tërheqë kapital të huaj domethënës. Përderisa Kosova mund të jetë treg shumë i vogël ose ende shumë i rrezikshëm për disa prej gjigantëve teknologjikë dhe të kapitalit sipërmarrës të Amerikës, përparimi i saj ndihmon që të ilustrohet fakti se inovacioni teknologjik tani është më i shpërndarë se kurrë më parë. Siç vë në pah zgjuarsia ukrainase, nevoja do ta nxisë inovacionin edhe në rrethanat më të vështira. Prandaj, politika e jashtme dhe ndihmat e ShBA-së duhet që gjithnjë më shumë të pasqyrojnë një ndërveprim të tërë shoqërisë, edhe për ta avancuar sigurinë kombëtare të Amerikës, edhe për të ushqyer një ekosistem ndërkombëtar të inovacionit që është i mbërthyer në demokraci. Ndihma për ngritjen e vendeve me “start up”-e premton jo vetëm krijim të gjeneratorëve të rinj teknologjikë, por gjithashtu ndërtim të mburojave kundër autokracive. Është politikë e zgjuar e teknologjisë, ekonomisë dhe sigurisë kombëtare.