Ngjarjet kryesore të 17 marsit: Protesta e reagime për projekt-kodin, Prindon Sadriu bëhet përsëri viral
E enjtja e 17 marsit kryesisht u karakterizua me reagime rreth projekt-kodit civil, i cili një ditë më herët nuk mori votat e mjaftueshme për t’u aprovuar në shqyrtim të parë nga Kuvendi i Kosovës. Përveç postimeve në rrjetet sociale Facebook e Twitter, organizatat e shoqërisë civile mblodhën dhjetëra persona para Kuvendit për të protestuar kundër deputetëve që u deklaruan e votuan kundër projekt-kodit civil që njihte mundësinë e bashkësisë civile të seksit të njëjtë.
Komuniteti LGBTQI+ të përkrahur edhe nga shoqëria civile, protestuan pas zhvillimeve të djeshme rreth projekt-kodit civil. Në duar protestuesit mbanin parulla si “homofob, s’ki vend në Kuvend”, “Dashnia nuk është sëmundje”, “Me homofova nuk ka shtet” e të tjera.
Kundër protestës ka shkruar analisti Ermal Sadiku duke thënë se irritohet nga paradat e këtij komuniteti.
“Më iritojnë paradatat e komunitetit LGBTQI+. Më pengon edhe kur shoh dy mashkuj dorë për dore e le më duke bërë gjeste intime në rrugë”, shkroi Sadiku në Facebook.
Rreth moskalimit të projekt-kodit civil reagoi edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Nicholas Abott, i cili deklaroi se është shumë i zhgënjyer që kjo nismë ligjore nuk u miratua dje dhe ftoi që të respektohen të drejtat e njeriut përfshirë ato të komunitetit LGBTQI+.
E krejt dikur në mbrëmje zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, deklaroi në media se neni për bashkësitë civile të seksit të njëjtë do të riformulohet. Sipas tij, do të angazhohen bashkë me një grup të ekspertëve për të parë nga afër se si mund të dilet nga kjo situate duke shpresuar që do të gjindet një kompromis për këtë çështje, shkruan Gazeta Nacionale.
Për këtë çështje reaguan edhe analistë të shumtë përfshirë Visar Imerin, i cili shkroi se janë nacionalizmi, patriarkaliteti dhe konservatorizmit arsyet se pse nuk kaloi projekt-kodi civil.
Ai e ndërlidhi diskriminim dhe rrezikimin që përjetojnë anëtarët e komunitetit në fjalë me trajtimin diskriminues që bëhet ndaj grave, fëmijëve, komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas dhe (sic) "përmimin e të varfërve, përqeshjen e atyre me aftësi të kufizuara" dhe të tjera.
Por, përveç reagimeve e diskutimeve të shumta rreth projekt-kodit civil, pati edhe të tjera zhvillime në vend.
Në orët e pasdites u kuptua se të premtën një delegacion i SHBA-ve do të vizitojë Kosovën dhe të njëjtin do ta takojnë Presidentet Vjosa Osmani. Lajmin për ardhjen e delegacionit amerikan katëranëtarësh e ka konfirmuar edhe Presidenca. Nesër në Prishtinë do të qëndrojë edhe kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, i cili po ashtu do të takohet me Presidenten Osmani.
Më 17 mars janë bërë saktësisht 18 vjet nga trazirat e Marsit të vitit 2004, ku patën mbetur disa të vdekur e shumë shkatërrime në ngjarjet që tronditën shoqërinë kosovare dhe ndërkombëtarët. Për ditën e trazirave, qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe të Kishës Ortodokse Serbe kanë mbajtur ceremoni përkujtimore në Manastirin e Graçanicës.
Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, është bërë i gjallë. Ai u pa në rrugën “Muharrem Fejza”, duke premtuar se e njëjta do të rregullohet brenda 40 ditësh.
Gara për Kryeprokuror të Shtetit tashmë ka hyrë në fazën finale. Për nesër janë paraparë edhe intervistat me 5 kandidatët që synojnë të jenë pasues të Aleksandër Lumezit. Elez Blakaj i ka dalë në përkrahje kandidatit Armend Hamiti. Në Facebook, Blakaj ka thurur elozhe për Hamitin duke përmendur disa orkestrime që sipas tij po i bëhen Hamitit. Armend Hamiti është në mesin e 5 kandidatëve për Kryeprokuror, ku bëjnë pjesë edhe Blerim Isufaj, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu e Kujtim Munishi.
E enjtja ka shënuar edhe përmbylljen e procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Palët kanë dhënë fjalët përfundimtare, përderisa vendimi final nga trupi gjykues pritet së shpejti. Megjithatë, data se kur mund të shpallet ky vendim nuk u zyrtarizua. Përderisa avokatët e tyre kanë theksuar lirimin, prokuroria ka kërkuar dënim prej 6 vjet burg. Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Këtë të enjtje, si shpesh herë të tjera, Prindon Sadriu, burri i Presidentes Osmani, i cili preferon ta quajmë zotëriu i parë, është bërë përsëri viral. E pas postimit të tij pësoi tallja në rrjetet sociale për të cilat ka shkruar edhe Nacionale.
Për fund, por jo e fundit për nga rëndësia, ka vazhduar saga e Agim Ademit me sulmet fizike, arrestimet e lirimet, edhe të enjtjen. Ai është liruar nga mbajtja pasi ishte si pasojë e sjelljeve jo të mira gjatë intervistimit. Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme ishte konfrontuar fizikisht me një punëtor të FFK-së. Ka më shumë se 100 ditë që Rama e ka marrë postin e kryetarit të Komunës. Megjithatë, ndryshime të mëdha nuk duken në kryeqytet. Dorën në zemër, as të vogla.