Ngjarje e rëndë në Shqipëri: Nëna hedh në lumë foshnjën
Një 32-vjeçare në Shkodër është arrestuar për vrasje pasi hodhi në lumin Kir foshnjën e saj.
E dyshuara besohet se është Orjana Gremi, e cila u arrestua nga policia me akuzën e vrasjes me dashje, hodhi në lum të birin gjatë mbrëmjes së të premtes, ndërsa trupi i pajetë u gjet këtë të shtunë.
Foshnja lindi më 30 dhjetor 2022 dhe ende nuk janë zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Shtetit të Shqipërisë, ku përmes një komunikate ka njoftuar se e dyshuara Orjana Gremi, ngarkohet më veprën penale “Vrasja me dashje”.
‘’ Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçe, banuese në fshatin Myselim. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje, për veprën penale “Vrasja me dashje”.-, thuhet në njoftimin e PSH-së.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.