"Ngatërruat proceset", Zv/Ministri i MPJD-së i mëshon KiE'së por ia huqë më të madhe - NACIONALE

"Ngatërruat proceset", Zv/Ministri i MPJD-së i mëshon KiE'së por ia huqë më të madhe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën për Vetëqeverisje Lokale”; “përputhja me vlerat e parimet s’janë faktorët e duhur për progres”...

Në mendjen e Kreshnik Ahmetit, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, postimi 688 fjalësh i tij në Facebook, e shoshiti padrejtësinë që iu bë Kosovës në aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës deri në atë masë sa hedh dyshime mbi themelin e vlerave dhe parimeve të organizatës.

Ndërsa ankohet për kushtin e progresit në Asociacion, zv.ministri Ahmeti – paralelisht me një logjikë groteske – thotë se kjo bie në kundërshtim me “vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”.

“Ky kusht i ri [Asociacioni], i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale” – shkruan mes tjerash zëvendësministri.

Çdo Tom, Dick dhe Harry [proverb angleze] e di se neni 7 i Marrëveshjes së Brukselit – i cili parasheh themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – është në pajtueshmëri me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, e njohur ndryshe si Karta Evropiane për Autonomitë Vendore, por jo edhe zëvendësministri i MPJD-së.

“Neni 7

Të dyja palët angazhohen të vendosin marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha të veçanta, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. [...]”

Veç kësaj, në raportin (Opinionin) e Bakoyanis – nga i cili kryekëput varet githçka në procedimin tutje drejt anëtarësimin në KiE – ajo e shkruan sikur dy-plus-dy që bëjnë katër se vetë aplikimi i Kosovës, vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare”.

Ahmeti shkon edhe më tej. Ai lëshon një paralajmërim të ashpër, duke thënë se çdo vonesë në pranimin e Kosovës në Këshill do të përbënte një precedent të rrezikshëm.

"Shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit. Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemon në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkdhelja vitin e kaluar." – tha ai.

Kosova jashtë agjendës

Kujtojmë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE nuk u fut as sot në agjendë të takimit të 17 majit kur pritshmëritë e shpresat anonin kah epilogu pozitiv i anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Kushtëzimi me miratim të draft-Statutin e Asociacionit e bëri të veten: Kosova – sipas të gjitha gjasave – mbetet jo-temë e këtij takimi dhe anëtarësimi i saj shtyhet paramendueshëm edhe për së paku një vit.

Burime diplomatike i thanë Nacionales se “as që është diskutuar” sot futja në agjendë e aplikacionit të Kosovës për mbledhjen e 17-18 majit. Kjo në diskutimet e sotme për agjendën nga ambasadorët e vendeve anëtare për takimin pasues të Komitetit të Ministrave.

Të njëjtat burime na thanë se në fakt ky takim “është edhe i fundit” që diskutohet për agjendën që efektivisht ia bën Kosovës të pamundshëm trajtimin e aplikacionin e saj për anëtarësim në këtë vit.

Lajme të ngjashme