Nga takimet me liderët politikë te vizita në Mitrovicë: Zyra e BE-së përmbledh vizitën e Kallas në Kosovë - NACIONALE

Nga takimet me liderët politikë te vizita në Mitrovicë: Zyra e BE-së përmbledh vizitën e Kallas në Kosovë

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Zyra e Bashkimit Evropian ka përmbledhur vizitën e kryediplomates evropiane, Kaja Kallas.

Kallas, e cila qëndroi në Kosovë dje e sot, pati disa takime, duke përfshirë këtu edhe me kryeministrin në largim, Albin Kurti dhe liderët e partive politike.

“E pritur nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadori Aivo Orav, me të arritur në Prishtinë, Përfaqësuesja e Lartë mbajti një konferencë për shtyp, gjatë së cilës theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për BE-në, duke nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni.

Gjatë vizitës së saj dyditore, Përfaqësuesja e Lartë zhvilloi bisedime konstruktive me Kryeministrin në largim dhe me liderët e partive kryesore politike në Kosovë. Zonja Kallas gjithashtu u takua dhe dëgjoi përfaqësues të shoqërisë civile” – thuhet në postimin në Facebook, të Zyrës së BE-së.

Po ashtu, Kallas gjatë vizitës në Kosovë takoi edhe komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani dhe shefin e misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë së premtes ndërkaq, ajo qëndroi në Mitrovicë.

“Përfaqësuesja e Lartë u prit gjithashtu nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani.
Në ditën e dytë të vizitës, ajo u prit nga Shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, në Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë.

Për të përmbyllur vizitën e saj, Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Gjykatën Themelore të Mitrovicës dhe u takua me përfaqësues nga sektori i arsimit” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme