Nga 3:00 e mëngjesit Trump vs Biden: Çka duhet të dini? - NACIONALE

Nga 3:00 e mëngjesit Trump vs Biden: Çka duhet të dini?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Joe Biden dhe Donald Trump pritet të zhvillojnë debatin e parë presidencial, nga dy që pritet të mbahen, nga ora 21:00 të enjten, sipas kohës në ShBA. Në Evropë ndërkaq, i bie që debati të nis në orën 03:00 të mëngjesit. Çka duhet të dini?

“The Guardian” në një artikull, të cilin Nacionale e sjell të përkthyer, raporton se kjo përballje do t’u japë dy kandidatëve shansin për të ngritur argumentet për një mandat të dytë, në atë që konsiderohet të jetë një nga audiencat më të mëdha televizive, si dhe të internetit.

“Shfaqja” e së enjtes, gjithashtu bartë rrezikun që amerikanët që veçse janë të pakënaqur me opsionet e tyre, të largohen edhe më të tronditur.

Sondazhet tregojnë një garë jashtëzakonisht të ngushtë mes presidentit aktual, 81 vjeçar dhe ish-presidentit amerikan, 78 vjeçar.

Debati pritet të zgjasë 90 minuta, fillon në orën 21:00 të enjten sipas kohës në ShBA, dhe do të mbahet në një studio të “CNN” në Atlanta.

Çka duhet të dini?

Të dy kandidatët arrijnë në debat me një qëllim të ngjajshëm: zmadhimin e dobësisë së tjetrit.

Trump është gjetur fajtor për 34 vepra penale dhe planifikohet që dënimi t’i shqiptohet më 11 korrik. Biden në anën tjetër, duhet të përballet me kritikat e elektoratit: pakënaqësië rreth ekonomisë dhe kufirit jugor. Por, ndoshta më akute sipas “Guardian”, Biden do të përballet me pyetje nëse ka qëndrueshmëri dhe shëndet për ta udhëhequr shtetin edhe katër vite të tjera.

Cila është strategjia?

Të dy kandidatët kanë rekorde presidenciale për të mbrojtur, dhe qëllime rreth mandatit të dytë për të ofruar.

Nga skena e debatit, sfida e Biden do të jetë t’ua rikujtojë votuesve pse e zgjodhën atë para Trumpit.

Trump në anën tjetër, do të duhet t’i kënaq votuesit e luhatshëm dhe Republikanët që e braktisën në vitin 2020, por janë të pakënaqur me gjendjen aktuale.

Çështjet ligjore

Ekziston një debat mes demokratëve se sa në qendër duhet t’i vendos Biden akuzat ndaj Trump, si ato për falsifikim të të dhënave të biznesit si pjesë e një skeme kriminale të parave për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016. Ai po ashtu, përballet me akuza të rënda edhe në tri procese të tjera penale.

Për shumë votues, vështirësitë ligjore të Trump janë eklipsuar nga shqetësimet e tyre mbi ekonominë, emigracionin, të drejtat e abortit dhe demokracinë.

Ndërkohë, Trump mund të flasë për djalin e Biden, Hunter, që së fundi u dënua për akuzat në lidhje me blerjen e një arme. Trump dhe aleatët e tij janë përpjekur gjithashtu të lidhin marrëdhëniet e biznesit të huaj të Hunter me presidentin, por nuk zbuluan ndonjë provë për ta mbështetur këtë.

Rregullat e debatit

Deri së fundi, nuk ka qenë e qartë nëse Trump dhe Biden do të përballeshin në një debat sërish, pas vitit 2020. Por, më pas organizuesit e kampanjave të tyre u pajtuan për debatet, ku i pari mbahet sonte, më i hershmi në historinë e shtetit.

Organizimi do të bëhet nga CNN, dhe do të moderohet nga Jake Tapper e Dana Bash. I njëjti do të zgjasë 90 minuta, dhe pritet të ketë dy pushime për marketing.

Siç dihet se janë pajtuar palët, debati do të mbahet në një studio në Atlanta dhe nuk do të ketë audiencë. Mikrofonët e kandidatëve do të ndalen kur nuk është radha e tyre për të folur, një përpjekje kjo për të minimizuar kaosin në skenë, që ndodhi gjatë debatit të parë mes tyre në vitin 2020.

Nuk pritet të ketë deklarata hyrëse. Një monedhë e hedhur ka përcaktuar vendosjen e podiumit dhe renditjen e deklaratave mbyllëse. Pala e Biden ka zgjedhur podiumin që do të shfaqet në anën e djathtë të ekraneve të shikuesve, ndërsa ajo e Trump, ka vendosur që ai të jepte fjalimin përfundimtar i fundit.

Lajme të ngjashme