Sot protestohet pro tërheqjes së parave nga Trusti, deputetët e PDK-së paralajmërojnë pjesëmarrjen - NACIONALE

Sot protestohet pro tërheqjes së parave nga Trusti, deputetët e PDK-së paralajmërojnë pjesëmarrjen

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, më 26 maj, është paralajmëruar një protestë, për shkak të pakënaqësive në lidhje me Projektligjin për Trustin. E këtë të mërkure, deputetët e Vetëvendosjes votuan kundër nismës për tërheqjen e kursimeve pensionale në Komisionin për Buxhet të Kuvendit, ku partia në pushtet ka shumicën.

Ky refuzim ka ngjallur debat të madh, gjersa organizatorët e protestës kanë konfirmuar përsëri se e njëjta do të mbahet edhe pas këtij vendimi të deputetëve.

Adnan Jasharaj, një nga organizatorët e protestës së sotme, ka thënë për Gazetën Nacionale, se vendim i Komisionit për Buxhet, nuk është pritur mirë nga qytetarët.

E në protestën e 26 majit, që fillon në orën 12:00, Jashari thotë se do t’u bëjnë thirrje deputetëve për të rishikuar vendimin dhe për të votuar pro tërheqjes së kursimeve pensionale nga Trusti.

“Votimi në komisionin parlamentar, 5 vota kundër dhe 5 vota pro, nuk është pritur mirë nga qytetarët, ata janë të revoltuar nga ky vendim i komisionit! Për këtë arsye, në mënyrë paqësore do të dalim të protestojmë. Do të grumbullohemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe do të marshojmë për tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, për të bërë thirrje që deputetët e Kosovës të votojnë pro Projektligjit që lejon tërheqjen deri në 30 % të kursimeve pensionale.”, ka thënë Jasharaj për Nacionalen.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ishtë ndër zërat më këmbues në favor të tërheqjes së parave nga Trusti, ka konfirmuar për Nacionale se do t’i bashkohet protestës së sotme.

“Iniciativa për plotësim ndryshimin e Projektligjit fonde dhe kursime pensionale, apo Trusti-t siç njihet, ku do të mundosohej terheqja na 10 deri në 30% e mjeteve, është iniciativë e qytetarëve, pra iniciativë me kërkesë të tyre. Bazuar në këtë, ne si grup parlamentar kemi dorëzuar kërkesë për ndryshimin e ligjit më datën 9 mars dhe prej asaj periudhe kohore deri më sot kam qenë zëri i qytetarëve sa i përket kërkesës së tyre për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Normalisht, kur ata të drejtën e tyre e kërkojnë me anë të protestës, unë do të jem me ta”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti Haxhiu, ka shtuar se Qeveria ka bërë presion mbi deputetët për të mos e votuar projektligjin.

Megjithatë, ai thotë se shpreson që deputetët të votojnë me integritet e të mos bien pre e presioneve politike ditën kur ky projektligj të vijë në Kuvend.

“Shpresoj që përkundër kësaj, edhe pse votat në Kuvend sot kanë qenë 5 me 5, është hapur rruga që Projektligji të vihet në seancë të Kuvendit. Uroj që në seancë të Kuvendit të mos prologohet në formën e njëjtë, por që deputetët të votojnë me integritet dhe të mos bien në ndikimin e presioneve politike por të votojnë pro kërkesës së qytetarëve. E tëra do të vendoset në seancën e Kuvendit, e cila besoj që do të mbahet jo më larg se javën e ardhshme. “, shtoi Haxhiu.

Ndryshe, sot me 5 vota kundër, një abstenim dhe 5 vota pro, Komisioni për Buxhet nuk e ka kaluar projektligjin e propozuar nga Haxhiu, nismë ligjore e cila parashihte lejimin e tërheqjes së 30% të kursimeve pensionale nga Trusti.

Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje e zyrtarë të Qeverisë Kurti tashmë janë deklaruar kundër një iniciative të tillë, duke theksuar problemet që do t’i shkaktonte në skemat pensionale një tërheqje e tillë.

Lajme të ngjashme